Konferenca “5 vjet vullnetarizëm edukativ në Kosovë: Mësimet e nxjerra dhe vizioni për të ardhmen” do të mbahet më 30 qershor

26 Qershor, 2023 - 11:36 am

Organizata TOKA, e cila punon për edukimin dhe zhvillimin e shkathtësive te të rinjtë në Kosovë që nga viti 2015, po sjellë Konferencën e tretë me radhë në kuadër të programit të Vullnetarizmit Edukativ të cilin janë duke e zbatuar nga viti 2018.

Programi i Vullnetarizmit Edukativ është metodologji e të mësuarit përmes përvojës dhe shërbimit. Ky program funksionon përmes hapjes së Klubeve Super Vullnetare në të gjitha komunat  e Kosovës, të cilat bëjnë bashkë mësimdhënësit, mentorët, të rinjtë dhe komunitetin.

Konferenca këtë vit synon të bashkoj rreth 100 pjesëmarrës duke përfshirë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, ekspertë të arsimit, mësimdhënës, studentë dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Qëllimi i kësaj Konference do të fokusohet në:

Sukseset e arritura në programin e Vullnetarizmit Edukativ përgjatë 5 viteve, në të gjithë Kosovën.
Ndikimet e programeve vullnetare dhe jashtëkurrikulare në sistemin arsimor dhe fuqizimin e të rinjve.
Mësimet e marra dhe ndikimi i Vullnetarizmit Edukativ në shkolla dhe në komunitet.
Vizioni për të ardhmen dhe hapat e ardhshëm.
Aplikimi i praktikave, teknikave dhe metodoligjisë së Vullnetarizmit Edukativ në klasë.

Hapjen e Konferencës do ta bëjnë: 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës – Glauk Konjufca
Drejtoresha ekzekutive e TOKAs – Jehona Gjurgjeala

Konferenca do të përfshijë panelin e diskutimit “Programet vullnetare dhe jashtëkurrikulare në sistemin arsimor dhe ndikimi i tyre në fuqizimin e të rinjve” ku panelistë do të jenë:

Besianë Musmurati – Drejtoreshë Komunale e Arsimit, Prishtinë
Majlinda Zhitija-Gjelaj – Prodekane e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”
Hisni Luri – Drejtor Komunal i Arsimit, Han i Elezit
Natyra Agani – Psikologe dhe profesoreshë në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina

Hatixhe Zeka – Menaxhere e Programit të Vullnetarizmit Edukativ thekson se gjatë këtyre pesë viteve, në programin e Vullnetarizmit Edukativ janë përfshirë më shumë se 2500 të rinjë, janë trajnuar 250 mësimdhënës e studentë në metodologjinë e Vullnetarizmit Edukativ dhe janë zbatuar më shumë se 200 projekte komunitare në të gjithë Kosovën. Andaj ajo konsideron që kjo është arritje e madhe që të mblidhen dhe këto suksese t`i festojnë së bashku në këtë Konferencë.

Konferenca do të mbahet me datën 30 qershor 2023, nga ora 10:15 në hapësirat e RIT Kosovo (A.U.K) në Prishtinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme