Kongresi Amerikan miraton rezolutën për rastin e vëllezërve Bytyqi – i kujton Vuçiqit premtimin e dhënë për zbardhjen e vrasjeve

15 Korrik, 2022 - 1:12 pm

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së ka miratuar një rezolutë për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit.

Tre vëllezërit Bytyqi janë vrarë pas luftës së vitit 1999 nga forcat serbe dhe askush deri më tani nuk ka dal para organeve të drejtësisë.

“Qeveria e Serbisë dhe ministritë dhe zyrat e saj përkatëse, duke përfshirë edhe Prokurorinë Serbe për Krimet e Luftës, duhet ta bëjnë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale sa më shpejt të jetë e mundur të zyrtarëve aktualë ose ish-zyrtarë që besohet se janë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte”, thuhet në rezolutën e Kongresit amerikan.

“Progresi në zgjidhjen e këtij rasti apo anasjelltas, duhet të mbetet një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë”, shkruan më tutje.

Rezoluta gjithashtu kujton edhe premtimin e bërë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se do të nxjerrin para drejtësisë vrasësit e vëllezërve me shtetësi amerikane.

Në dokument shkruan se autoritetet serbe edhe pse hetuan, ato kurrë nuk i akuzuan individët që ishin pjesë e zinxhirit komandues të Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me këtë krim, duke përfshirë ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Vlajko Stojilkoviq, Ndihmës Ministrin dhe Shefin e Departamentit të Sigurisë Publike, Vlastimir Gjordjeviq dhe komandanti i kampit të stërvitjes operacionale, Goran “Guri” Radosavljeviq. /Telegrafi/ /KultPlus.com

Të ngjajshme