Kopshti Zoologjik, befasia e këtij 1 Qershori

25 Prill, 2022 - 10:00 am

Kopshti i ri Zoologjik i Tiranës, do të hapet më 1 qershor, në ditën e fëmijëve.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur lajmin, teksa publikoi foto nga mjediset e Kopshtit të ri Zoologjik të Tiranës.

Në ditën e festës së tyre, fëmijët do të marrin një tjetër dhuratë, një hapësirë të re për të kaluar më shumë kohë, e cila do të ketë edhe parqe lojërash, hapësira për piknik.

“Së shpejti për fëmijët çel dyert edhe Kopshti i ri Zoologjik i Tiranës, si një nga hapësirat më argëtuese që vjen si surpriza e këtij 1 Qershori”, u shpreh Rama.

Fëmijët do të kenë këtu, jo vetëm një mundësi për t’u njohur me kafshët, por edhe për të kaluar një ditë shumë cilësore me familjarët e tyre. Kopshti Zoologjik është rikonceptuar plotësisht. Janë liruar hapësira nga zaptimi, ka më shumë hapësirë për kafshët.

Kopshti Zoologjik i Tiranës është kthyer në një hapësirë për të gjitha grupmoshat, ku janë mbjellë edhe 1200 pemë.

Vizita në Kopshtin Zoologjik do të jetë një aktivitet që zgjat përgjatë gjithë ditës, ku përfshihen zona pikniku përgjatë itinerareve të lëvizjes, hapësira të gjelbra të lira nga strukturat dhe të veçuara për familjarë e fëmijë. Krahas këtyre, në kopsht janë të shpërndarë kënde lojërash për ta bërë sa më të pasur eksperiencën për fëmijët dhe prindërit. /j.p/ KultPlus.com

Të ngjajshme