Kosova dhe Austria me program për bashkëpunim kulturor për vitet 2024 – 2027

13 Nëntor, 2023 - 12:15 pm

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për dy ditë është nikoqire e delegacionit austriak, të udhëhequr nga Ambasadori Christoph Thun-Hohenstein dhe Ministria Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare.

Takimet dypalëshe kanë filluar sot për të komentuar marrëveshjen e re tri-vjeçare për bashkëpunim kulturor ndërmjet dy shteteve i cili do të nënshkruhet ditën e nesërme.

Programi përfshin bashkëpunimin në shumë fusha, duke thelluar lidhjet me institucione të ndryshme, përfshirë muzetë, bibliotekat, galeritë, arkivin shtetëror, partneritete të drejtpërdrejta në mes institucioneve të arsimit të lartë dhe stafit akademik, shkëmbimin midis artistëve, bashkëpunimin në fushën e filmit, muzikës dhe ngjarjeve kulturore.

Marrëveshja shënon një moment të rëndësishëm dhe hap rrugën për thellim të bashkëpunimit në fushat e kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe sportit, si dhe sjellë mundësi e njohje të reja, duke e pozicionuar vendin në skenën ndërkombëtare e duke mundësuar zhvillim të qëndrueshëm.

Gjatë ditës, zyrtarët e MKRS-së do të shoqërojnë delegacionin austriak në vizitat dhe takimet bilaterale në institucionet e kulturës dhe arsimit. / KultPlus.com

Të ngjajshme