Kosova vendi i vetëm në rajon pa gazeta të shtypura, s’ka shpresë për rikthimin e tyre

16 Maj, 2023 - 10:30 am

Tash e sa kohë nuk ka gazeta të shtypura në vendin tonë. Rreth kësaj çështjeje për Portalin Dukagjini kanë diskutuar drejtori ekzekutiv në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), Imer Mushkolaj, profesori në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Faton Ismajli dhe asistentja profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Hyrije Mehmeti.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka gazeta të shtypura. Para pandemisë ishin disa gazeta që shtypeshin në Kosovë, “Koha Ditore”, “Epoka e Re”, “Zëri” dhe “Bota Sot”.

Edhe pse kaloi pandemia e Covid-19, këto gazeta nuk vazhduan të shtypeshin më.

Imer Mushkolaj, drejtori ekzekutiv në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka thënë se mungesa e gazetave e ka diskrimunuar një pjesë të qytetarëve më në moshë, të cilët gazetat i kanë pasur burim të informimit, dhe se problemet në qasjen online kanë bërë që ata të jenë të përjashtuar në njëfarë forme nga mënyra tradicionale e informimit.

Mushkolaj ka thënë se shkaqet kyçe që ndikuan në “zhdukjen” e këtyre gazetave janë problemet financiare dhe përhapja e vrullshme e mediave online.

Sipas tij botuesit e gazetave nuk kanë pasur mundësi që të vazhdojnë botimin e tyre edhe pas situatës me pandeminë, gjë që çoi në mbylljen e tyre.

Ai bën të ditur se tani publikohen dy gazeta në internet, në versionin PDF, por kjo sipas tij nuk mjafton.

“Gazetat janë pjesë e rëndësishme e memories kombëtare të secilit komb, andaj mungesa e tyre lë zbrazëti të madhe edhe në këtë aspekt”, është shprehur ai.

Drejtori ekzekutiv i KMShK-së shton se informimi online është më i shpejtë dhe në kohë reale, thekson se puna në gazetë është më komode dhe koha më e madhe në dispozicion bën që të përvidhen më pak gabime.

Sipas tij përparësia e gazetave online në këtë rast është që lëshimet mund të përmirësohen shpejt, në mënyrë që publiku të informohet shpejt dhe drejt. Ai ka potencuar se interaktiviteti me publikun është “shumë më shumë i shprehur në gazetat online”.

Për rikthimin e gazetave të shtypura Mushkolaj ka thënë se nuk janë ndërmarrë hapa konkret ngase sipas tij, duket se nuk ka llogari financiare për një gjë të tillë. Ai thekson se përshtatja me gazetat online nuk ka qenë e vështirë, por, natyrshëm, mbetet nostalgjia për gazetën e printuar.

“Gazetat online nuk duhet ta vënë shpejtësinë para saktësisë. Më shumë kujdes në informim do t’i bënte më të mira ato”, ka përfunduar Imer Mushkolaj.

Profesori në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Faton Ismajli ka thënë se gazetaria e internetit, gazetaria e portaleve ofron shumë më shumë mundësi për të bërë gazetari më “cilësore, më të shpejtë, më të saktë, më të thellë, më të dokumentuar”.

“Mirëpo, mungesa e gazetave për një shoqëri sikur e jona është në radhë të parë dëm në raport me historinë. Sepse gazetarët janë të parët që shkruajnë çka ndodh sot dhe publikohet të nesërmen. Shembull, nëse marrim faktin se çka ka ndodhur më 2008 shkojmë në arkiva, i gjejmë gazetat dhe mund të përdorim si argumente, mund të studiojmë atë periudhë”, ka thënë Ismajli për Portalin Dukagjini.

Sipas tij, kjo ndikon edhe në aspektin e profesionit pasi gazetat patën krijuar një traditë në Kosovë, nisur gazeta Rilindja për të vazhduar me gazetat e viteve të 90-ta, pastaj me gazetat e pas përfundimit të luftës.

“Në njërën anë gazetaria e re ka krijuar mundësi më të mëdha për gazetari profesionale, por gazetaria e gazetave vazhdon të mbajë epërsinë e raportimit profesional, të thellë, të argumentuar dhe më etik në raport me mediat e reja”, ka thënë Ftaon Ismajli.

Profesori në Departamentin e Gazetarisë ka thënë se dy faktorët që ndikuan në “humbjen” ose “zhdukjen” e gazetave të shtypura janë mungesa e lexuesve dhe mungesa e interesimit të bizneseve për të pasur reklama në gazeta.

“Shto këtu faktorin e tretë kulturor. Pra, Kosova për dallim prej kulturave europiane kur gazetat e para kanë dalë para më shumë se 300 vjetëve, ka një traditë më të shkurtër kohore të posedimit të gazetave. Të kthehemi të dy faktorët e parë, mungesën e lexuesve dhe aspektin ekomomik. Kur janë mbyllur gazetat në Kosovë, numri i tirazhit nuk e ka tejkaluar 1 ekzemplarë. I bie që s’ka pasur shumë lexues. Shikuar nga kjo perspektivë mediat nuk kanë gjetur zgjidhje për të tejkaluar këtë problem. Rrjedhojë e mungesës së lexuesve ka rënë edhe reklama dhe të hyrat e mediave. Rrjedhimisht, s’kanë pasur mundësi të mbijetojë në një treg ku shumica e reklamave, për të mos thënë, pjesa dërrmuese e reklamave vetëm se kishin kaluar në mediat e reja, në portale dhe rrjete sociale”, është shprehur Faton Ismajli.

Ismajli është shprehur se gazetat e shtypura me gjithë mungesën e lexueshmërisë, me gjithë problemet kanë ofruar një thellësi më të madhe se sa portalet. Sipas tij, gjithmonë mediat kanë synuar shpejtësinë, mirëpo, në këtë kohë, pra në kohën e mediave të reja “gara është edhe më e ashpër”.

Faton Ismajli ka theksuar se shkaku i traditës, i mënyrës së punës, i mënyrës së organizimit të gazetës, lexuesi i ka besuar më shumë gazetarisë së shtypur.

Ai thekson tutje se gazetaria e internetit në Kosovë po vazhdon të zhvillohet dhe ka një ngritje të standardeve, mënyrës së raportimit e deri te përdorimi i të gjitha mundësive që të jep interneti për të dhënë lajmin në mënyrën më profesionale. Por sipas tij, duhet kohë, investim dhe angazhim për të arritur standardet më të larta edhe në gazetarinë online.

Ismajli nuk është shprehur optimist për mundësinë e rikthimit të gazetave të shtypura sepse sipas tij, është e vështirë të gjendet dikush që bën një investim të tillë.

“Ndoshta, edhe OJQ e në fund të fundit edhe shteti do të mund të investonte në një gazetë të shtypur, me një tirazh t vogël që do të mund që do të mund të shërbente si memorie e ngjarjeve që ndodhin. E njëjta gazetë do të duhej të arkivohej në Bibliotekën Kombëtare siç ka ndodhur me gazetat kur dilnin në shtyp. Pra, mendoj se si shoqëri duhet të mendojmë për të nxjerrë së paku një gazetë dhe të gjejmë edhe mënyra. Ideja ime për një gazetë që dokumenton ngjarjet ditore është vetëm ide e imja. Mund të ketë ide edhe më të mira, më kreative që ta rikthejmë në një formë apo tjetrën së paku një gazetë”, ka potencuar Ismajli.

Ai ka treguar se kur gazetarët që më parë kanë punuar në gazeta të shtypura kanë filluar të punojnë në gazetat online kanë kuptuar se duhet të kenë më shumë shkathtësi

“Duhet të kenë njohuri për fotografi. Duhet të dijnë të realizojnë video. Duhet të dinë të përdorin mediat sociale. Duhet të jenë të përgatitur gjuhësisht shumë më shumë se sa në gazeta. Është dukur se gazetaria online është me e lehtë, në fakt, gazetaria në portale kërkon shumë më shumë shkathtësi, shumë më shumë njohje, shumë më shumë kompetencë për të gjitha ato që i diskutuam edhe më lartë”, ka deklaruar profesori në Departamentin e Gazetarisë në UP, Faton Ismajli.

Ismajli ka treguar se portalet apo gazetat online duhet të ofrojnë shumë më shumë raportime me tekst, foto, video dhe grafika siç raportojnë portalet botërore.

“E dyta, portalet duhet t’i kushtojnë rëndësi aspektit profesional, të balancojnë lajmin, të marrin edhe qëndrimet e palëve të përfshira në raportim, të përdorin gjuhë neutrale në raportim, të kenë një qasje kritike në raportim ndaj gjithë atyre që përdorin gjuhë fyese, gjuhë të urrejtjes dhe gjuhë të mosdurimit racor, etnik fetar e seksual. Me një fjalë, portalet duhet t’i ndjekin standardet profesionale që dikur ishin te etabluara në gazeta, televizion e radio”, është shprehur Ismajli.

“Pavarësisht se fillimisht kemi pasur gazetën, pastaj radion, pastaj televizionin dhe në fund portalet, standardet profesionale dhe etike vetëm sa janë ngritur dhe nuk ka pasur asnjëherë konsensus as mes profesionistëve dhe as mes akademikëve se me ardhjen e mediave të reja duhet të ulen standardet. Ka ndodhur e kundërta. Vetëm shihni trendin e fundit, kur mediat në Kosovë dhe në botë, kanë krijuar edhe verifikues të fakteve, kanë krijuar formë të re të shkrimit, kur raportohet për tekstet që kanë raportime të pasakta”, ka përfunduar Faton Ismajli.

Asistentja profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Hyrije Mehmeti ka thënë se fillimi i pandemisë në vendin tonë, përkatësisht muaji mars i vitit 2020, ka qenë muaji i fundit kur në tregun tonë ka pasur gazetë ditore.

“Pas këtij muaji, gazetat e shtypura janë zhdukur tërësisht, çka nuk do të duhej të ndodhte”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se një ndër problemet kryesore që lidhet me mbylljen e gazetave ka të bëjë me çështjen financiare.

Mehmeti ka shtuar se Kuvendi i Kosovës do të duhej që së paku të krijonte bazë ligjore për rikthimin në treg të një gazete si gazetë publike.

Mehmeti është shprehur se zhdukja e gazetave ditore ka qenë problematike sidomos për personat në moshë të shtyrë, për të cilët përdorimi i teknologjisë është më i vështirë, e për disa edhe i pamundur. I njëjti problem sipas saj ka qenë dhe për gazetarët të cilët kanë punuar në to.

“Gazetat ditore ruajnë kriteret dhe standardet e gazetarisë. Për më tepër, ajo çfarë mungon nga gazetat ditore lidhet me besueshmërinë e lajmit që përmes tyre është përcjellë tek lexuesit. Një mungesë e tillë e ka bërë edhe më të vështirë dallimin e lajmeve të rreme nga ato të vërteta”, ka thënë asistentja profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Hyrije Mehmeti.

Mehmeti është shprehur se gazetat online duhet të marrin përsipër rolin e gazetave të shtypura dhe se “veçanërisht” duhet të shtojnë edhe disa rubrika që kanë pasur gazetat, sikurse recensionet, intervistat e gjata e të tjerë. / KultPlus.com

Të ngjajshme