Kosova merr statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

27 Maj, 2024 - 11:36 am

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka marrë statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s të hënën. 

Ky vendim është marrë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s më 27 maj 2024, ka njoftuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni.

“Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Nga qershori i vitit 2014, ne përfaqësoheshim si delegacion vëzhgues”, ka shkruar Hyseni në Facebook, i cili është edhe Kryesues i Delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Ai ka shtuar se letrat e shumta dhe përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë, por edhe të akterëve tjerë politikë në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit.

Vendimin e së hënës e ka mirëpritur presidentja Vjosa Osmani. Përmes një postimi në platformën “X”, Osmani ka thënë se NATO-ja është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë të dëgjohet.

“Do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, ka shkruar ajo. 

Të ngjajshme