Kosova pa spital për COVID-19, propozohet që si spitale të përdoren hotelet e konviktet

24 Nëntor, 2020 - 9:02 am

Spitalet e vendit janë mbushur me të prekur me COVID-19. Pavarësisht se ishte premtuar ndërtimi i një spitali ku do të trajtoheshin të infektuarit me koronavirus, deri tani nuk ka asgjë në këtë drejtim. Ndërkohë, janë përmendur disa objekte të tjera të cilat do të mund të shfrytëzohen për këtë qëllim. Por, për cilat objekte bëhet fjalë?

Fillimisht ishte propozuar që për këtë qëllim të shfrytëzoheshin hotelet e vendit.

Një ide të tillë e ka dhënë nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi.

“Në shtete të tjera po selektohen edhe hotelet për të shërbyer si spitale të përkohshme. Pse kjo të mos aplikohet edhe në Kosovë. Mendoj se shtabi i përgjithshëm në nivel qeveritar me atë komunal që të bëjë përzgjedhjen e këtyre hoteleve ose vendeve të tjera ku do të mund të strehohem ose të vendosen personat e infektuar”, ka deklaruar ditë më parë Nushi.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit, për të marrë informacione nëse pronarët do të pranonin t’i lëshonin hotelet e tyre që të përdoren si spitale.

Kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva, i ka thënë Gazetës Express se një propozim të tillë, ata e kanë dhënë menjëherë pas rritjes së rasteve.

Sipas tij, pronarët janë pajtuar për këtë çështje, por edhe kanë kërkuar kompensim.

“Ishalla s’ndodh, por nëse ndodh rritja e numrit të të infektuarve edhe s’ka vend nëpër spitale, nga ana humane, pronarët janë në gjendje me i lëshu hotelet e veta, sallat e konferencave, sallat e dasmave me e kry këtë anën humane. Është normale që kur e lëshon, shteti ma ia pagu se ai nuk është klient po pacient. Hiç kurgjë nëse s’paguan, së paku me miratu ligjin edhe me ua qit paret që ua kanë premtu”, ka thënë Sogojeva.

Por, deri tash kjo çështje ka mbetur vetëm si ide, meqenëse as nuk e kanë diskutuar me kryeministrin Avdullah Hoti e as Ministrin e Shëndetësië, Armend Zemaj.

“Ne se kemi diskutuar këtë ide me kryeminsitrin e as ministrin, por e kemi propozuar para 4-5 muajve, kur ke vala e madhe e rasteve. Anëtarësia pati propozu që më i lëshu, paguan s’paguajnë nuk është më rëndësi. Më pastaj erdh edhe propozimi i komunës së Prishtinës”, ka deklaruar Sogojeva për Express.

Ndërkohë, në Ministrinë e Shëndetësië nuk kanë pranuar që të komentojnë një propozim të tillë.

Si objeke të tjera ku mund të trajtohen pacientët e prekur me COVID-19, po përmenden edhe konviktet e studentëve.

Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta ka thënë se deri tash nuk është biseduar për këtë çështje. Por, thotë se çfarëdo vendimi që merr Qeveria janë të obliguar që ta implimentojnë.

“Ne nuk e kemi këtë informacion, dhe nuk ka biseduar askush me neve, ne jemi një institucion i cili i përgjigjet Ministrisë së Arsimit dhe varësisht se çfarë vendimi merr Qeveria e Kosovën, ne jemi të obliguar ta implimentojmë dhe ta realizojmë”, ka thënë Sfishta./Gazeta Express /KultPlus.com

Të ngjajshme