Kosova përfundoi e 16-ta në Lojërat Mesdhetare

6 Korrik, 2022 - 9:30 am

Lojërat Mesdhetare do të marrin fund sonte përmes një ceremonie mbyllëse, ndërsa tash është koha e duhur për t’i bërë llogaritë.

Në këtë garë mori pjesë edhe Kosova në sporte të ndryshme.

“Dardanët” përfunduan në vendin e 16-të pasi i fituan gjashtë medalje në “Oran 2022”, i cili u mbajt në Algjeri.

Pesë medalje i siguroi sporti i xhudos dhe një ai i boksit, në një total prej tri të artave dhe tri të bronztave.

Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu u veshën me ar në këtë garë prestigjioze, kurse Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpejtim Bajoku u ngjyrosën me bronz.

Pra, edhe një herë ishte kryesisht xhudoja ajo që ia zbardhi fytyrën Kosovës, ndërsa garuesit tjerë kryesisht patën paraqitje të zbehta dhe rezultate dëshpëruese.

Kosova në Lojërat Mesdhetare u përfaqësua nga 39 garues në 13 sporte të ndryshme.

Pjesa e fundit e ekspeditës kosovar mbërrin sot në atdhe.

Ndërkohë, Shqipëria përfundoi e 18-ta në “Oran 2022” pasi i fitoi 4 medalje, prej tyre 2 të arit, 1 të argjendtë dhe 1 të bronztë. /Gazeta Express/KultPlus.com

Të ngjajshme