Kosova U21 humb nga Gjermania 3:0

12 Shtator, 2023 - 10:44 pm

Kombëtarja e Kosovës U21 ka zhvilluar sot ndeshjen e tretë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2025.

“Dardanët” nuk arritën t’i bëjnë ballë favoritit të Grupit D, Gjermanisë.

Në stadiumin “Fadil Vokrri” Kosova bëri paraqitje të mirë, por ishte e pafat.

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani me shumë kujdes kishte ndërtuar formacionin me të cilin do ta luftonte Gjermaninë në fushë.

Në portë ai vendosi Leo Besson, mbrojtjen ia besoi Florian Haxhës në krahun e majtë dhe të djathtin Gërxhaliut, derisa në qendër vendosi Valon Zumberin bashkë me Andi Hotin.

Mesfusha i takoi Adem Podrimajt, Milot Avdylit dhe Veton Tushës, derisa në krye të sulmit përzgjedhësi i Kosovës U21, vendosi Ardit Tahirin i cili krah të majtë kishte Besfort Zenelin, ndërsa në të djathtë në pozitën e sulmuesit ishte Arian Llugiqi.

Me këtë përbërje, Kosova përmbylli pjesën e parë 0:0.

Në pjesën e dytë Gjermania me çdo kusht e kërkonte golin derisa në minutin e 74-të, Youssoufa Moukoko e shënoi të parin.

Katër minuta më vonë, “pancerët” thelluan epërsinë dhe i njëjti futbollist shënoi golin e dytë.

Die Mannschaft dominoi në vazhdimësi, derisa një minutë parase ndeshja të përfundoi, Colin Kleine Bekel shënoi për 3:0, çka ishte edhe rezultati përfundimtar. /KultPlus.com

Të ngjajshme