Krasniqi: Do të luftoj me gjitha forcat e mija për ditën kur ligji të ketë thënë fjalën mbi përgjegjësit e masakrave, vrasjeve e dhunës

4 Mars, 2021 - 7:13 pm

Vasfije Krasniqi Goodman është zyrtarisht deputete e Kuvendit të Kosovës në radhët e Levizjes Vetëvendosje, shkruan KultPlus,

Ndërkaq, sot, Krasniqi Goodman përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka falenderuar të gjithë ata që e votuan dhe e besuan atë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Krasniqi Goodman.

Të dashur bashkëqytetarë, më së fundi kemi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Në një kohë të vështirë, në një situatë unike, në një përballje me problemet ekonomike e shoqërore, me cështjet e drejtësisë e arsimit, me pandeminë e raportet me fqinjin verior, populli bëri zgjedhjen e drejtë e të guximshme. I besoi drejtimin e shtetit një fryme të re e moderne, njerëzve që mbështesin e përqafojnë ide të qarta për të sotmen e që do të shërbejnë si bazë e së nesërmes.

Kjo fitore e grupit progresist të udhëhequr nga dyshja Kurti – Osmani nuk duhet parë si vijë finishi, është vetëm 100 metërshi i parë i një stafete në të cilën kryesojmë, por në këtë garim nuk mundet kurrsesi të humbim përqëndrimin e vendosmërinë, pasi kemi pengesa për të kapërcyer, situata për të zgjidhur, përgjigje për të dhënë, gracka për të shmangur e fitore për të kurorëzuar.

Unë do të hy për herë të parë në tempullin e demokracisë. Do të kem emocione, është njerëzore, por do të jem e fortë, do të ndihem e tillë se atë mbështetje ma kanë dhënë mbi 60 mijë preferencat tuaja. Ju faleminderit.

Ato 60 mijë preferenca më bëjnë të ndjej gjithashtu, edhe përgjegjësinë e madhe, janë një kryq i rëndë, po për ta mbartur do të kem edhe ndihmën tuaj, nuk kam dyshime.

Së bashku do të luftojmë për drejtësi. Kur të sistemojmë të shkuarën, kur ligji të ketë thënë fjalën mbi përgjegjësit e masakrave, vrasjeve, dhunës, djegijeve, dëbimeve, athere shpatullat do të na drejtohen nga krrusja e gjatë, do të shohim vetëm përpara më në fund, pa pengje në shpirt, pa krisje në ndërgjegje. Atëhere do të ndjejmë në fytyrë, në krahë e kraharor, frymën e së ardhmes.

Unë do të luftoj me të gjitha forcat e mija për atë ditë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme