Krasniqi: Skënderbeu nuk duhet të jetë temë e injorantëve

2 Mars, 2021 - 8:12 pm

Aktivisti Rron Gjinovci mbrëmë ka zhvilluar një debat të ashpër në Pressing të T7 duke insistuar që në Kuvendin e Lezhës nuk është folur gjuha shqipe. Pas këtyre deklaratave kanë vazhduar reagimet e shumta në rrjete të ndryshme sociale, shkruan KultPlus.

Një ndër personat që ka reaguar është edhe profesori universitar Milazim Krasniqi i cili ka shkruar se Skënderbeu përfaqëson sintezën e kombit shqiptar dhe si i tillë dhe duhet të kuptohet edhe në historinë tonë.

Tutje ai ka shtuar se Skënderbeu nuk duhet të jetë temë e injorantëve.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë.

Përveç arbërishtes, Skenderbeu i fliste edhe këto gjuhë: sllavishten, (serbisht e bullgarisht), greqishten, osmanishten, persishten, arabishten dhe italishten. Skenderbeu ishte gjeneral i sulltan Murat Hanit. Mandej u bë kryetar i Lidhjes së Lezhës. Në projektin e Selisë së Shenjtë ishte projektuar si komandant i Kryqëzatës. Tjetër çështje është si mund të interpretohen episode nga jeta dhe vepra e tij. Por si fillim duhet të mësohet se kush ishte dhe çka përfaqësonte. Skenderbeu përfaqëson sintezën e kombit shqiptar, që përbëhet nga ortodoks,musliman e katolik. Pra,  duhet të kuptohet se ishte një fenomen unik në historinë tonë. Ky fenomen nuk duhet të jetë temë e injorantëve./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme