Krishtlindjet në Horën e Arbëreshëvet, si festohej sipas traditës

23 Dhjetor, 2020 - 6:30 pm

Festa e Krishtlindjeve është një ndër më të rëndësishmet dhe që ka karakteristikat e saj sipas kulturave dhe vendeve të ndryshme.

Njësoj si zakonet siciliane dhe italiane, shumica e kremtimeve tek arbëreshet përputhen me kalendarin fetar, pra festat më të rëndësishme ndër arbëreshet janë Krishtlindjet dhe Pashkët.

Më të vjetrit e Horës së Arbëreshëvet rrëfejnë se si festohej kjo festë më parë, ku pas mbledhjes së të afërmve rreth tryezës në meshë në Kishë këndohej në gjuhën arbëreshe.

Përsa i përket tavolinës nuk mungon gatimi i kardunit (gatim i karçofit që vjen nga italishtja Cardo) biskotat e plota me marmelatë fiku dhe mendër etj.

Ata rrëfejnë se gjatë festave del në pah karakteri gazmor e plot gjallëri ku njerëzit kënaqen dhe miqtë e familjen, duke ndarë me shoqërinë gëzimet personale dhe familjare. Gjatë Krishtlindjeve mbizotëron atmosfera e gjallë dhe e këndshme, muzika dhe vallëzimet, humori dhe shakatë… brezat e ndryshme takohen dhe festojnë bashkë duke mbajtur zakone dhe doke tradicionale por edhe duke sjellë inovacion dhe modernitet.

Gjyshe Gianna për shembull tregon se pas darkës mblidheshin rreth zjarrit dhe tregoheshin histori të ndryshme. Por sot në kushtet e pandemisë kjo mund të jetë disi e vështirë.

“Natale të mirë të gjithëve me shëndet me fuqi e me providence”, është urimi i arbëreshëve të Horës së Arbëreshëvet.

“Ne arbëreshët kemi përgjegjësinë të ruajmë kulturën tonë dhe të sjellim mesazhin tonë sa të kemi mundësi, gjithmonë me respket për kulturat e tjera. Gëzuar Krishtlindjet”, uron Mario Caliva dramaturgu dhe shkrimtari arbëresh i cili kujdeset për të mbajtur gjallë traditat e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme