‘Kryeëngjëlli Mihail’, në Muzeun e Artit Mesjetar

9 Shkurt, 2023 - 2:02 pm

Muzeu i Artit Mesjetar Korçë ka prezantuar sot në rrjetet sociale një nga ikonat e fondit të tij.

Bëhet fjalë për ikonën “Kryeëngjëlli Mihail”, ikonë e cila vjen nga Opari i Korçës.

Në panelin e madh paraqitet kryeëngjëlli, me krahë, si mbrojtësi i kishave bizantine. Vepra është e një cilësie të lartë artistike. Ky tip ikonografik i takon periudhës të Paleologëve.

Kryeëngjëlli paraqitet në pamje frontale me shpatën në dorën e djathtë dhe globin në të majtën. Ka veshje luftarake dhe tunikë të kuqe. Pjesët e mishta janë modeluar me kafe të lehtë dhe dritat finale pas një sërë tonesh të buta janë realizuar me të bardhe. Sfondi i argjendtë është tipik i shkollës maqedonase.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 Prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona./ KultPlus.com

Të ngjajshme