Kryeministri Kurti: Ilir Konushevci ishte shpirti i UÇK-së

9 Maj, 2025 - 2:42 pm

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë homazhe pranë varrezave të heronjve Ilir Konushevci e Hazir Malaj në 27 vjetorin e rënies së tyre. Kurti e quajti Konushevcin pasardhës të denjë të Zahir Pajazitit . Ai tha se Konushevci ishte shpirti i Ushtrisë Çlirimtare.

“Ishte shpirti i UÇK-së meqë ishte në krye të logjistikës dhe furnizimit, në një kohë të vështirë kur UÇK-ja po përballej me një ushtri që ishte shumëfish më e pajisur me armatime,  municion, mirëpo me vullnetin e çeliktë të luftëtarëve të paepur si puna e Ilir Koushevcit, edhe ajo që ishte e paimagjinueshme bëhej e mundur. UÇK-ja jo vetëm që merrte pjesë ne beteja, por edhe ngadhënjente aty”tha Kurti.

Kreu në detyrë i qeverisë tha se Konushevci kishte nisur veprimtarinë e tij shumë më herët, saktësisht me 1 3maj të vitit 1992. “Atëherë kur u formua organizata e fshehtë politike, “Shqiponjat”, dhe prej asaj dite nuk u ndal asnjëherë për shtimin e radhëve të UÇK-së”.

Kurti tha se, pa njerëz si  Iliri nuk mund të kishte luftë çlirimtare pa të cilën nuk mund ta kishte as liri e as shtet.

“Andaj homazhet tona që i bëjmë tek varret e dëshmorëve e martirëve gjatë kësaj pranvere e në veçanti sot te Ilir Konushevi e Hazir  Malaj,  shprehim mirënjohjen e thellë për punën e sakrificën e tyre, por shprehim edhe përkushtimin tonë që të vazhdojmë rrugën e tyre e cila sot e ka kuptimin e një Republike të pavarur demokratike e sidomos me furnizim të ushtrisë sonë, me forcim të FSK-së,  ashtu që të kemi ushtri që i del zot atdheut edhe Republikës edhe popullit të Kosovës”, tha tutje kryeqeveritari në detyrë në këtë ditë përkujtuese për heronjtë Konushevci e Malaj.

Sipas tij, Ushtria e Kosovës sot është më e pajisur e më e madhe se kurdoherë.

“Me gëzim themi se krenaria jonë për Ilir Konushevcin e Hazir Malën është në të njëjtën kohë edhe realitet i ri, sepse Kosova anë e mbanë posaçërisht rrotull kufirit me Serbinë ka më shumë forca se kurdo herë më parë dhe në këtë mënyrë brezi i ri do të mund të punojnë, studiojnë e flenë të qenë në mënyrë që asnjëherë të mos përsëritet që mund t’i përngjajë agresionit të Serbisë në të kaluarën”, tha ai./rtk/ KultPlus.com

Të ngjajshme