Kryeministri Kurti kujton Nënë Terezën në 28-vjetorin e vdekjes: Ajo mbetet shembulli më i lartë i humanitetit ndër njerëz

5 Shtator, 2025 - 6:51 pm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar 28-vjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, humanistes shqiptare e cila ka vdekur më 5 shtator 1997.

Kryeministri Kurti ka thënë se edhe 28 vite pas vdekjes së saj, bota vazhdon ta kujtoj Nënë Terezën, pasi virtytet dhe vlerat për të cilat ajo u angazhua gjithë jetën e saj ishin universale.

Ai gjithashtu tha se Nënë Tereza paraqet shembullin më sipëror ndër të gjithë, atë të përpjekjes së njeriut për ta ruajtur humanitetin ndër njerëz.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti:

Në një ditë sikur e sotmja, më 5 shtator 1997, ka vdekur bamirësja e madhe shqiptare, Anjeze Gonxhe Bojaxhiu. E njohur botërisht si Nënë Tereza, ajo kishte lindur 87 vite më parë, më 26 gusht 1910 në Shkup, atëbotë kryeqendër e Vilajetit të Kosovës. Prindërit e saj ishin Nikollë Bojaxhiu prej Prizrenit dhe Drane Barnaj prej Novosellës së Gjakovës. Si 18-vjeçare, Gonxhja shkoi në Irlandë ku u inkuadrua në institutin katolik Motrat e Loretos, ndërsa pas gjashtë muaj u largua drejt Indisë, ku edhe e zhvilloi shumicën e aktivitetit të saj humanitar.

Përmes kongregacionit katolik Misionaret e Bamirësisë që ajo e themeloi më 1950, Gonxhe Bojaxhiu u bë e njohur gjithandej botës si Nënë Tereza apo Tereza e Kalkutës. Murgesha shqiptare katolike që me dashuri dhe besim ndihmoi mijëra e mijëra njerëz të varfër dhe veçanërisht fëmijë, fitoi zemrat dhe besimin e miliona njerëzve në botë.

Në vitin 1979, ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, duke u bërë e para shqiptare e laureuar me këtë çmim aq të rëndësishëm. Pas vdekjes, më 19 tetor 2003, ajo u lumturua ai “Tereza e Bekuar e Kalkutës” nga Papa Gjon Pali II, me të cilin ajo kishte patur marrëdhënie shumë të afërta në rrugën e saj të bamirësisë. Kurse më 5 shtator 2016, Papa Françesku e kanonizoi në shenjëtore duke e quajtur Shën Tereza.

Kur kanë kaluar 28 vite nga vdekja e saj, bota vazhdon ta kujtoj dhe nderoj Nënë Terezën çdo herë e më shpesh, sepse virtytet dhe vlerat për të cilat ajo u angazhua gjithë jetën e saj ishin universale. Duke qenë shqiptare, e lindur dhe e rritur në një familje shqiptare, Nënë Tereza paraqet shembullin më sipëror ndër ne, të përpjekjes së njeriut për ta ruajtur humanitetin ndër njerëz!/ KultPlus.com

Të ngjajshme