5 Qershor, 2025 - 7:27 pm
Në prag të koncertit gala në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur sopranon, Ermonela Jaho, e cila ndodhet për vizitë në Kosovë. E njohur për ndjeshmërinë dhe përkushtimin e saj artistik, Jaho i quan Kosovën dhe Shqipërinë shtëpitë e saj shpirtërore.
Në një mesazh të publikuar para koncertit, Kurti theksoi rëndësinë e këtij eventi për rrugëtimin e operës në Kosovë, duke përmendur figurat dhe momentet kyçe që kanë ndërtuar themelet e saj – nga kompozitori Rauf Dhomi me operën “Goca e Kaçanikut”, te krijimi i Institucionit të Operës në vitin 2022.
Sipas Kurtit, ky koncert shënon një hap të madh përpara për institucionin më të ri të kulturës në Evropë dhe është fryt i përpjekjeve të vazhdueshme për ndërtimin e një skene operistike të qëndrueshme në vend. Ai falënderoi Ermonela Jahon për përkrahjen, zërin dhe zemrën e saj, duke shtuar: “Kosova nuk po e pret operën. Kosova po e ndërton atë.”/KultPlus.com