Kryeministri Kurti në Bukuresht takon përfaqësues të mërgatës shqiptare

7 Prill, 2024 - 9:12 pm

Gjatë qëndrimit në Bukuresht, kryeqytetin e Rumanisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi dy përfaqësues të mërgatës shqiptare të Rumanisë, zëvendëskryetarin e Shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë”(ALAR) Luan Topçiu, dhe doktorin e shkencave dhe inxhinierinë e metalurgjisë, Përparim Demi.

Sipas komunikatës nga zyra e kryeministrit, së bashku me ta, Kurti vizitoi bustin e Ismail Qemalit te “Grand Hotel Continental” ku në fillim të nëntorit të vitit 1912 ai së bashku me Luigj Gurakuqin dhe patriotë tjerë u takua para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.

Gjithashtu vizitoi edhe pllakën përkujtimore të kishës “Shën Nikolla” ku shënohet se aty për herë të parë ka meshuar në gjuhën shqipe rilindasi Fan S. Noli në vitin 1911, dhe në të cilën deri në vitin 1945 janë kryer ritet fetare nga komuniteti ortodoks shqiptar në Bukuresht.

Vizitë i bëri edhe parkut Herastrau ku gjendet edhe busti i poetit, rilindasit tonë të madh Naim Frashëri.

“Rumania ka qenë historikisht një vatër e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një vend ku intelektualë shqiptarë shtjelluan mendimin kombëtar dhe kultivuan ndjenjat dhe identitetin kombëtar përballë rrymave armiqësore”.

Të ngjajshme