Kryeministri Kurti për incidentin në Gjakovë: Nuk është në kulturën tonë të jemi diskriminues

24 Nëntor, 2021 - 2:59 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur keqardhje dhe e ka dënuar fuqishëm aktin e fundit të diskriminimit ndaj komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, që sipas raportimeve, disa lokale të gastronomisë kanë refuzuar t’u shërbejnë këtyre komuniteteve.

Në fjalimin e mbajtur në Samitin e antigjipsizmit, kryeministri Kurti po ashtu dënoi ashpër dhunën fizike që u shpërfaqë po ndaj këtyre komuniteteve ditëve të fundit.

Këto janë akte të dënueshme si nga ligjet tona e po ashtu edhe nga ndërgjegjja jonë. Nuk është as në kulturën e as në historinë tonë që të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues, tha kryeministri, duke shtuar se qytetarët e çdo etnie, komuniteti e race janë në radhë të parë qytetarë të barabartë të Republikës tonë.

Kryeministri tha se angazhohet njëlloj për të gjithë qytetarët e Republikës, e sidomos për ata që janë më të varfër, sepse siç tha ai, përveçse Kryeministër, jam edhe social-demokrat, e si social-demokrat progresin e zhvillimin e shoqërisë tonë e mati, jo me atë se sa mirë po jetojnë ata që kanë më së shumti, por ata që kanë më së paku.

Ai shtoi se si social-demokrat zhvillimin e matë me përfshirjen dhe kualitetin e edukimit që marrin jo vetëm pjesa e privilegjuar e shoqërisë, por pjesa më e diskriminuar e saj.

Në këtë drejtim, ai veçoi shpalljen e konkursit për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian për vitin shkollor 2021/2022, me çka synohet përfshirja e këtyre nxënëseve në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike dhe sigurimi i iniciativave për të reduktuar braktisjen e mësimit. /KultPlus.com

Të ngjajshme