6 Maj, 2025 - 3:40 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 25-vjetorin e vrasjes së intelektualit dhe politikanit të shquar, Fehmi Agani, i cili u rrëmbye dhe u vra nga forcat serbe më 6 maj të vitit 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti kujtoi momentet tragjike të ndaljes së trenit që po udhëtonte drejt Maqedonisë dhe rrëmbimit të pasagjerëve, mes të cilëve ishte edhe Agani. Ai theksoi se humbja e tij përfaqëson një plagë të thellë për popullin shqiptar, duke e quajtur atë një figurë me rëndësi të jashtëzakonshme për politikën dhe shkencën në Kosovë.
“Ishte 6 maji i vitit 1999, pak më shumë se një muaj para mposhtjes dhe largimit përfundimtar të forcave serbe nga Kosova, kur ata e ndalën një tren që po shkonte drejt Maqedonisë. Mes shumë qytetarëve të tjerë që po udhëtonin atë ditë, ishte dhe politikani i shquar dhe sociologu i mprehtë Fehmi Agani, i cili periudhën e atëhershme po e bashkëvuante me të gjithë të tjerët edhe pse angazhimin e kishte të një dinamike dhe rezonance aq të madhe për kohën. Nga ndalja e trenit, ndërrimit të kahjes së tij, kthimit të detyruar në Fushë Kosovë dhe rrëmbimit të pasagjerëve, ishte një çast. Një çast që zgjati sa një përjetësi, e që mori me vete dhe veprimtarin tonë të shtrenjtë. Trupi i Fehmi Aganit u gjet të nesërmen në afërsi të Lipjanit”, ka shkruar Kurti.
Tutje, ai është shprehur se me këto akte kriminale dhe masakra të njëpasnjëshme, regjimi serb tentoi të linte plagë të thella e të na privonte nga mendjet e shquara e të ndritura të vendit.
Kurti ka shtuar se humbja e Aganit ishte më shumë se humbje njerëzore, sepse ishte humbja e një filozofi, magjistri të shkencave politike e doktor shkencash të sociologjisë.
“Krimet e Serbisë nuk falen e harrohen. Plagët janë të pashërueshme. Mungesa e drejtësisë vendore e ndërkombëtare duhet të marrë fund. Lavdi për jetën, veprën dhe sakrificën e Fehmi Aganit!”, ka përfunduar Kurti.