Kryeministri Kurti: Serbinë e njohim më mirë se ShBA-ja – kur na kërkojnë diçka që e kemi dëgjuar nga Beogradi, duhet të kemi kujdes

19 Mars, 2024 - 5:23 pm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se nga pikëpamja e tij, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të mira dhe të dykahshme.

Kurti tha se ndoshta në të kaluarën kanë qenë marrëdhënie njëkahore, por sot, sipas tij, janë dykahore.

“Që do të thotë se ka edhe dhënie, edhe marrje, sepse të tilla janë marrëdhëniet ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës edhe de jure, edhe de facto. Kur Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga ne sjelljen e refugjatëve nga Afganistani në Kosovë, ne nuk pyesim pse, vetëm kur dhe si. Na e treguan datën dhe vendin ku vijnë – Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës”, tha Kurti në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Kurti tha se Kosova e njeh Serbinë më mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sipas tij, Kosova s’mund të ketë këndvështrim karshi Beogradit identik me atë të Uashingtonit.

“Por, kur na kërkojnë diçka, që ne e kemi dëgjuar më herët nga Beogradi, sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe ndërmjetëse, atëherë ne duhet të kemi kujdes. Serbinë ne e njohim më mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Populli shqiptar i Kosovës e njeh më mirë Serbinë se Uashingtoni. Dhe, Uashingtoni nuk e ka fqinje Serbinë. Ne e kemi fqinje Serbinë”, tha Kurti./KlanKosova/KultPlus.com

Të ngjajshme