Kryeministri Kurti zbulon tri ofertat e Qeverisë në këmbim të ndaljes së grevave

13 Shtator, 2022 - 1:13 pm

Kryeministri Albin Kurti në konferencën për media tha se këshillit grevist ua ka thënë tri gjëra për të cilat ata u zotuan se do ta pyesin anëtarësinë.

Kurti tha se këshilli grevist nuk e pyeti anëtarësinë por sapo dolën nga takimi thanë se greva do të vazhdojë raporton Gazeta Express.

“Ne ua thamë edhe tri gjëra sot përfaqësuesve të këshillit grevist për të cilën ata na premtuan se do ta pyesin anëtarësinë. Neve na u tha në takim se do ta pyesin anëtarësinë, porsa dolën nga takimi thanë se greva do të vazhdojë, kur e pyetën anëtarësinë.  Oferta shtesë ishte kjo, do të jenë pjesë përmbajtësore për Ligjin për Pagat. Do te jene pjesë përmbajtësore për diskutime publike për ligjin mbi pagat. Ua dham lajmin atyre të parët, sepse këtë javë fillon diskutimi publik. Dy të tjerat ishin që bashkë me BSPK do ta bëjmë reformën e sistemit pensional, që të bëjmë diferencimin e kategorive të ndryshme, duke e hequr pragun famëkeq 15 vjet përvojë punë, dhe u zotuam që tek barnat esenciale të shtojmë edhe 10 milionë euro”, ka thënë Kurti teksa ka treguar ofertën shtesë për krerët e sindikatave.

Ai tha se në takim i është kërkuar që të lëvizë nga pozicioni.

“Në takim më është thënë kryeministër lëviz, por unë të paktën kam lëvizur 10 herë vetëm në drejtim të kërkesave të sindikatave, prandaj për këtë arsye kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla dhe mësimdhënësit të shkojnë në shkolla. Nuk bën bojkot e grevë shtetit sepse shkolla është shteti. Nuk është e vërtetë që s’ka pas komunikim, problemi që kemi nuk është për shkak të mungesës së dialogut”, tha ai. / KultPlus.com

Të ngjajshme