Kurti bën homazhe te lapidari i dëshmorëve të familjes Lleshi nga Gjakova

7 Gusht, 2022 - 9:15 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, bëri homazhe te lapidari në Vraniq të Gjakovës, në nderim të dëshmorëve të familjes Lleshi, me rastin e 24-vjetorit të rënies së tyre për atdhe.

Kryeministri Kurti tha se në luftën çlirimtare ranë katër dëshmorë të familjes Lleshi nga Vraniqi i Gjakovës. Marku e Kola më 7 gusht 1998 në betejën e Vraniqit dhe Prendi e Mema më 28 janar 1999 në betejën e Godenit.

“I përkujtuam me nderim e krenari në 24-vjetorin e tyre, të gjakut të tyre që u bë liria jonë. Lokja Hanë dhe Gega na prinin në homazhet e sotme te varri i tyre dhe lapidari tempull me katër shtylla”, u shpreh ai.

Derisa kujtoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kryeministri Kurti theksoi se para një çerek shekulli UÇK-ja organizoi popullin në kryengritje kundër pushtuesit dhe okupatorit serb i cili kreu gjenocid në Kosovë.

Siç shtoi kryeministri më tej, agresioni e krimet e Serbisë dhe rezistenca e qëndresa jonë janë e vërteta historike e faktike.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar”, tha në fund kryeministri Kurti. /KultPlus.com

Të ngjajshme