Kurti: Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomi dhe progresi demokratik ecin bashkë

14 Tetor, 2023 - 9:59 pm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është dëshmia e kohës se zhvillimi ekonomi dhe progresi demokratik mund të ecin krah për krah.

Sipas Kurtit, nuk ka raport kredibil ndërkombëtar që nuk e ka njohur përparimin e Kosovës në demokraci, të drejtat e njeriut, luftimin e korrupsionit, sundim të ligjit dhe qeverisje të mirë.

“Fillimisht, Raporti i BE-së për Vendin i vitit 2022 ishte më i miri që ka pasur Kosova deri më tani. Aty nuk kishte asnjë fushë pa progres të shënuar dhe asnjë fushë me regres të evidentuar”.

“Transparency International në Indeksin e tyre të Perceptimit të Korrupsionit na ka renditur për 20 vende më lartë. Sivjet jemi në pozitën më lartë që kemi mbajtur ndonjëherë. Për 22 vende më lartë jemi renditur në Indeksin e Lirisë së Medieve, sipas Reporterëve pa Kufij. Në vitin e parë të qeverisjes kishim shënuar përmirësim rekord brenda një viti, duke u ngritur për 17 vende, kurse në vitin e dytë kemi arritur renditjen më e lartë ndonjëherë në këtë indeks. Pra, përmirësim i dyfishtë”.

“E për përmirësim në të drejtat politike dhe liritë civile, raporti i Freedom House i këtij viti, renditi Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, të dytën në Evropë dhe të tretën në botë. Për nga përmirësimi në fushën e sundimit të ligjit, të dytët në botë na rendit edhe raporti i Projektit të Drejtësisë Botërore, i cili për të dytin vit me radhë të qeverisjes sonë, e nxjerr Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor”, shkroi Kurti, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, kreu i qeverisë tha se Kosova është e para në Ballkanin Perëndimor për Demokraci Elektorale edhe sipas vlerësimit të Institutit V-Dem, teksa shtoi se edhe sipas raportit të vitit 2022 të FMN-së për sa i përket rritjes së grumbullimit të të hyrave, Kosova del e para.

“Ndërkaq, sipas Bankës Botërore, Kosova krahas pakos mbështetëse më të madhe (si përqindje e BPV-së) në rajon për qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, ajo pritet të ketë rritjen më të madhe reale ekonomike në rajon për tre vitet e ardhshme”.

“Projeksione të njëjtë ka edhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, e cila thotë se vendi ynë pritet të ketë rritjen më të lartë ekonomike në Ballkanin Perëndimor për këtë vit dhe vitin tjetër. E një raport tjetër i Bankës Botërore, ai mbi Indeksin e Maturitetit të Teknologjisë, e ka ngritur Kosovën nga grupi C në atë B për fokus në qeverisje digjitale”, shkroi Kurti.

Tutje, ai tha se qeveria e udhëhequr prej tij gëzon besimin e 56 për qind të qytetarëve, më të larin në mesin e të gjitha qeverive të Ballkanit Perëndimor, sipas matjeve të Balkan Barometer 2023. /KultPlus.com

Të ngjajshme