Kurti në 22 vjetorin e Misinit: Grupi ‘MAK’ ka meritat për popullarizimin e muzikës rok në Kosovë

9 Qershor, 2021 - 7:04 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot në 22 vjetorin e vdekjes, njërin nga zërat emblematik të muzikës rok në Kosovë, Haki Misinin, shkruan KultPlus.

Kurti ka shkruar se Misini ishte ikona e rok muzikës dhe se grupi ku ai bënte pjesë, ‘MAK’ është një ndër grupet me krijimtarinë më të mirëfilt të rok muzikës në Kosovë.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:

Sot 22 vite pa ikonën e rok muzikës Haki Misini

Dy anëtarë të grupit MAK, vokalisti Haki Misini dhe bateristi Mehmet Tupella janë vrarë gjatë luftës së fundit 1998-1999 në qytetin e Mitrovicës, tri orë para se të nënshkruhej marrëveshja për ardhjen e forcave të NATO-s në Kosovë. 

Trupi i këngëtarit Haki Misini u gjet në Suhodoll të Mitrovicës në vitin 2005, ndërsa Mehmet Tupella ende rezulton i zhdukur. Trishtimin që përjetoi familja, e shpjegon në një dokumentar edhe Urimi, djali i Haki Misinit.

Rok grupi MAK u formua në vitin 1973 dhe ka funksionuar deri në vitin 1978. Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin: Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet ndër grupet me krijmtari të mirëfilltë e të pasur të rok muzikës në Kosovë me merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vendin tonë.

Këngët e Hakiut vazhdojnë të interpretohen edhe sot nga artistë të ndryshëm, si “Moj e mira te pojata”, “Në syrin tënd pash një lot”, “Idila verore”, “Tri gota”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, dhe shumë këngë të tjera./ KultPlus.com

May be an image of one or more people and people playing musical instruments

Të ngjajshme