Kurti: Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë

24 Mars, 2021 - 9:39 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një statusi në Facebook ka kujtuar përvjetorin e ndërhyrjes humanitare të NATO’s në Kosovë.

Kurti ka kujtuar nisjen e ndërhyrjes humanitare të NATO’s në Kosovë e cila ndaloi spastrimin etnik dhe gjenocidin mbi kombin shqiptar.

“Sot kremtojmë përvjetorin e ngadhënjimit të forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb. Ishte hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin. U gëzuam fort. Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat e armatosura të Jugosllavisë së Milosheviqit. Shumë humbje, vuajtje e dëme u shkaktuan mbi popullin e vendin tonë në pranverën e para 22 viteve, por ishte ky agimi i çlirimit të Kosovës“, shkroi Kurti në Facebook.

“Ishte agim sepse dhimbjet që kishin ndodhur në një burg të përgjithshëm për shqiptarët, tanimë po njoftoheshin në një qiell të hapur. Lufta jonë e ndërgjegjes kishte triumfuar në formën e vendimit të përbashkët të kombeve që prej më shumë se dy shekujsh ishin angazhuar në të drejtën. Sakrificës që kishte ardhur gjithnjë nga lënda njerëzore, gjaku dhe bijat e bijtë e popullit tonë, po i bashkohej aleanca më e madhe botërore e historisë”, ka shtuar tutje Kurti.

“Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë”, përfundoi Kurti. / KultPlus.com

Të ngjajshme