Kurti: Në qershor mbledhja e radhës e Qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë

19 Maj, 2023 - 11:59 am

Në mes të muajit qershor, qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë do të bëhen sërish bashkë në një mbledhje të përbashkët. Kështu ka konfirmuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë një bisede me gazetarë në margjina të konferencës “Diaspora Flet”.

Kohë më parë ishte thënë se mbledhja do të mbahet më 14 qershor në Gjakovë.

14 qershori kremtohet nga gjakovarët si dita e çlirimit të qytetit historik dhe përkujtohet në kalendarin e kësaj treve për të nderuar kujtimin e dëshmorëve që dhanë jetën në luftën për çlirimin e Kosovës.

Ky do të jetë takimi i nëntë mes qeverive shqiptare të të dy shteteve, ndërsa që prej 11 janari 2014, kur për herë të parë nisi ky bashkëpunim, janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje. Arritjet më të rëndësishme janë ato të lirisë së lëvizjes në të dy anët e kufirit, në fushën e shkëmbimeve ekonomike, në fushën e energjisë elektrike, në mësimin e abetares së përbashkët, puna e përbashkët për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar dhe për Historinë e Shqiptarëve.

Të ngjajshme