Kurti: Nëse Serbia do të ndihej përgjegjëse për gjenocidin, do të duhej ta njihte Kosovën qysh në 2008

17 Shkurt, 2024 - 1:34 pm

Kryeministri i vendit Albin Kurti në në fjalën e tij në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës për 16-vjetorin e Pavarësisë, tha se Kosova është shteti më i ri në rajon, por me vetëdije të pjekur.

Më tutje Kurti përmendi Serbinë, për të cilën tha se nëse do të ishte ndjerë përgjegjëse për gjenocidin  do të njihte Kosovën qysh në 2008.

Po ashtu përmendi të drejtat e pakicave në Kosovë, e në veçanti të serbëve, ku në Luginën e Preshevës kjo është e kundërta, ata po dëbohen, përcjell Klankosova.tv.

“Edhe sot si çdo vit mblidhemi për të uruar ditëlindjen e Pavarësisë së Kosovës”, tha Kurti.

“Me 16 vitet e saj mbi supe, Republika e Kosovës është më e reja në rajon, më e reja si shtet e shtat, por me vetëdijen e pjekur po aq sa vetëdija e shteteve më të vjetra se ajo. Sepse Republika e Kosovës në 2008 ishte tashmë e maturuar si realizimi i një aspirate popullore të brymosur për shumë vite e dekada. Kosovën e kanë pjekur para kohe kryengritjet për bashkimin e vilajeteve dhe Pavarësinë e Shqipërisë, atë e ka pjekur qëndresa e popullit tonë ndaj valëve të një pas njëshme të pushtimeve dhe gjenocideve”.

“Koha e saj kishte ardhur më 1981 kur ane mbanë shtatit të saj njerëzit mbushnin sheshet e u dilnin përballë tankeve duke thirrur ‘Kosova Republik’. Kosova u bë Republikë me Kushtetutë në Kuvendin e Kaçanikut, për të u luftua me domostrata e protesta paqësore dhe me pushkë lirie të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me flijimet që bëri për idenë e Republikës, populli ynë në Kosovë fitoi simpatinë e shteteve demokratike e përparimtare që i dolën në krahë në vitin 1999. Më 2008 nuk kishte mbetur më asnjë dilemë se bashkësia e vendeve demokratike që Republika e Kosovës do të vinte”.

“Po diskutohej të vinte në një trajtë të tillë që ishte e pranueshme edhe për armikun më të madh të saj, shtetin serb qe kishte dashur ta mbyste edhe idenë e shtetit te shqiptarët. Të gjithë ne e kemi të qartë se në rast se Serbia shtetërore do të ishte ndjerë sado pak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovenist, ai do të duhej ta kishte njohur Kosovën qysh në vitin 2008. Republika e Kosovës garanton të drejtat më të gjera për pakicat në rajonin tonë posaçërisht për serbët, që përftojnë e kontribojnë në shtetin tonë të përbashkët. Ndërkaq shqiptarët në Luginën e Preshevës janë pakica më e diskriminuar në Evropë që dhe sot po i nënshtrohet spastrimit nëpërmjet të ashtuquajturit pasivizimin të adresave”.

Ndërkaq Kurti foli edhe për situatën e marrëveshjeve mes dy vendeve Kosovë-Serbi.

“Është për keqardhje që fqinji ynë verior ka zgjedhur rrugën e konfrontimit dhe bllokimit të funksionimit të brendshëm të republikës sonë dhe njohjes të saj të jashtme. Ajo sot vazhdon të refuzojë nënshkrimin e marrëveshjes bazike për normalizmin e marrëdhënieve me Kosovën që sjell fqinjësi të mirë evropiane. Në vend të saj ajo madje përqafoi terrorizimin. Edhe aty dështoi me turp përball heroizmit e profesionalizimit të policisë sonë”.

Përndryshe ai foli edhe për ekonominë e vendit ku tha se pritet që në 2024 të ketë rritjen më të madhe në rajon/KlanKosova/KultPlus.com

Të ngjajshme