11 Gusht, 2025 - 2:58 pm
Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, u takua mbrëmë me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde.
Takimi u fokusua në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin bilateral, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe investimeve të huaja, zhvillimet politike në vend, situatën në Ballkanin Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian.
Kurti theksoi performancën ekonomike pozitive të gjashtëmujorit të parë të vitit, rezultatet e politikave të punësimit dhe angazhimin për të drejtat dhe mirëqenien e pakicave. Ai shprehu edhe shqetësimin për ndikimin e fushatave dezinformuese dhe lajmeve të rreme në shoqëritë demokratike.
Kryeministri falënderoi Reiffenstuel për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës./KultPlus