Kurti: Ushtria jonë është profesionale dhe e përgatitur, investimet në armatim janë rritur

8 Tetor, 2023 - 2:30 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se për dy vjet e gjysmë qeverisje ka pasur vëmendje dhe investim për ushtrinë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se në vitin 2021, Ministrisë së Mbrojtjes iu dhanë 100 milionë euro buxhet, për herë të parë, derisa për vitin 2023 është 141 milionë euro.

“Ministrisë së Mbrojtës iu ndanë 100 milionë euro buxhet për herë të parë në vitin 2021. Prej atëherë, minimumi është aq, kurse tavani sa vjen e ngritet. Për vitin 2023, buxheti për ushtrinë është 141 milionë euro, më shumë se dyfishim krahasuar me kohën kur morëm në drejtim qeverinë.”

Kurti ka thënë se janë rekrutuar 1852 ushtarë të rinj, 3325 ushtarë kanë kryer trajnime profesionale jashtë vendit.

Ai tha se investimet në armatim janë rritur për 191 për qind, duke përmendur edhe dronët Bayraktar.

“Kemi rekrutuar 1852 ushtarë të rinj, duke rritur numrin e përgjithshëm të ushtarëve për më shumë se 2/3. Ushtria jonë sot është më profesionale dhe më e përgatitur sepse gjatë kësaj periudhe, 3325 ushtarakë kanë përfunduar trajnime profesionale jashtë vendit. Ata janë të pajisur më mirë se asnjëherë më parë, sepse investimet në armatim janë rritur për 191%. Arsenalit tonë ushtarak, ia shtuam dronët e mirënjohur luftarak Bayraktar.”

Kurti shtoi se është hequr kufizimi në numër të FSK’së dhe që u hap për çdo të ri e të re nën moshën 25 vjeçare.

“Hoqëm kufizimin në numër të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe e hapëm atë për çdo të re të ri deri në moshën 25 vjeç, ndërkaq lëndën “Edukim në Siguri’’ e bëmë pjesë të kurrikulave shkollore për nxënësit e ciklit të mesëm të lartë.”

Kryeministri Kurti ka përmendur misionet në të cilat ka marrë pjesë FSK.

“Në vitin 2021, Forca e Sigurisë së Kosovës, bashkëzbarkoi me ushtrinë amerikane në misionin e saj të parë paqeruajtës në Kuvajt. Për të vazhduar pastaj një vit pas me misionin bashkëzbarkues me ushtrinë britanike në ishujt Falkland. Kurse në fillim të këtij viti dëshmoi para botës përgatitjet dhe aftësitë e saja në misione të kërkim-shpëtimit kur në Turqi shpëtoi katër jetë njerëzish nga rrënojat e tërmetit shkatërrues atje.”

Ai tha se në Defender Europe 21 dhe 23 u “rreshtuam krah për krah me aleatët tanë në ndërmarrjen më të madhe të ushtrimeve ushtarake në kontinentin e Evropës që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.

“Përmes marrëveshjeve të nënshkruara të bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Letoninë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë, gjatë këtyre dy vjet e gjysmë qeverisje, dhe plot tjera që janë drejt finalizimit, kemi thelluar edhe më tej raportet me partnerë tanë strategjikë. E në Defender Europe 21 dhe 23 u rreshtuam krah për krah me aleatët tanë në ndërmarrjen më të madhe të ushtrimeve ushtarake në kontinentin e Evropës që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.”

Në fund, Kurti ka shkruar: “Me Forcën e Sigurisë, të sigurtë në mbrojtje të Republikës”./ KultPlus.com

Të ngjajshme