7 Gusht, 2025 - 8:34 pm
Shkruan Klara Buda
Të jesh baba shqiptar dhe ta shohësh vajzën si subjekt të lirë, është një akt politik. Dukagjin Lipa nuk është thjesht menaxher i suksesit të Duas, ai është arkitekt i një modeli të ri atësie shqiptare. Në një kulturë që shpesh ndrydh, ai zgjedh të mbështesë. Dhe kjo është revolucionare.
Paris, më 3 gusht 2025
Në një kohë ku emri i Dua Lipës* ndriçon në skenat e botës, është lehtë të harrojmë se pas çdo superylli qëndron një histori e përditshme, një marrëdhënie njerëzore, një rrënjë intime. Babai i saj Dukagjin Lipa shumë i pranishëm në karrierën e saj cilësohet si menaxher brilant, si ideator strategjik i suksesit të vajzës së tij, por në disa gazeta londoneze edhe si baba patriarkal. Por për mua, ajo që Dukagjin Lipa mishëron është diçka që askush nuk guxon ta shprehë me dimensionin e saj të vërtetë, ajo që nganjëherë shkakton kundërshti : është historia e një babai shqiptar që refuzoi të ndrydhë vajzën e tij — dhe që, përmes kësaj zgjedhjeje, ka revolucionarizuar vetë idenë e atësisë shqiptare.
Shqiptarët kudo që janë — në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni apo mërgatë — e njohin një model atësie që është i rrënjosur thellë në ndërgjegje kolektive: babai si autoritet, babai si “koka e shtëpisë”, babai si figura që do të “ruajë” vajzën, shpesh nga vetvetja. Që në moshë të hershme, shumë vajza shqiptare e mësojnë se liria e tyre është për t’u “kontrolluar me mençuri”, se zërët e tyre duhet të jenë të butë, se trupat e tyre nuk u përkasin, ato janë pjesë e nderit të familjes.
Nuk është fjala për dhunën e hapur (edhe pse ajo ekziston), por për dhunën strukturore të përditshme — atë të heshtjes, të mosbesimit, të frikës së vazhdueshme: “Çfarë do të thotë bota?”, “Kush të pa?”, “Si u veshe?”. Në këtë mënyrë, shumë vajza nuk rriten, por ndrydhen, nuk bëhen individë, por figura që shërbejnë, që rregullojnë, që lënë mënjanë veten.
Filozofët si Michel Foucault na kanë mësuar se pushteti nuk vepron vetëm përmes ndalimit, por edhe përmes formësimit të vetëdijes. Babai tradicional shqiptar, edhe kur është i dashur, shpesh është instanca e parë që e ndrysh vajzën pasi i mëson se liria e saj është e rrezikshme.
Në këtë kontekst, Dukagjin Lipa është një “devijim” i bukur. Ai nuk e ndaloi Dua Lipën por i besoi që në moshën 12 vjeçare të studjojë e vetme në Londër larg familjes, nuk e “mbrojti” nga ekspozimi, nga dëshira për të krijuar. Përkundrazi — ai e ndihmoi ta ndërtojë këtë rrugë, jo si diktator por si një aleat i heshtur i një lirie që shkon përtej vajzës së tij. Tani ai nuk është vetëm baba, është bashkëkrijues i subjektit të saj të lirë.
Të jesh baba shqiptar dhe të mos jesh posesiv ndaj vajzës është një akt politik. Të mos ndërtosh gardh rreth ëndrrave të saj, të mos e kthesh trupin e saj në flamur morali, të mos e shohësh si pasqyrë të egos apo të krenarisë tënde, është revolucion. Dhe Dukagjin Lipa e ka bërë këtë revolucion — në heshtje, pa fjalime të mëdha, por me përkushtim të vazhdueshëm.
Kur e sheh në krah të vajzës së tij në çdo hap, nuk e sheh një burrë që kërkon vëmendje, por një prani mbështetëse, e rrallë për kulturën tonë. Ai nuk flet për të “ruajtur nderin e vajzës së vet”, por për ta ndihmuar të jetë e vetja, të guxojë, të jetë e ndërlikuar, e bukur, pa kërkuar leje.
Dukagjin Lipa është gjithashtu artist. Dhe kjo ka rëndësi. Sepse arti, ndryshe nga pushteti, kërkon bashkëkrijim, kërkon hapësirë, kërkon të dëgjosh pa të pasur frikë nga kaosi i tjetrit. Ndoshta, ky është sekreti i atësisë së tij revolucionare: ai e sheh vajzën si subjekt krijues, jo si një objekt për ta kontrolluar. Në këtë kuptim, ai është një filozof praktik i të përditshmes. Ai zgjedh të jetë baba si akt etik, jo si rol social. Ai nuk e shfrytëzon statusin e vet, por e ndan — dhe në këtë ndarje, ai e thyen formatin tradicional të atësisë shqiptare.
Çfarë është një baba i mirë? Jo ai që “sakrifikon” duke heshtur, por ai që guxon të jetë i dukshëm dhe i ndjeshëm. Jo ai që kontrollon, por ai që mbështet pa kusht. Jo ai që i mëson vajzës të ketë frikë nga jeta, por ai që i jep krahë për të fluturuar.
Figura e Dukagjin Lipës është e rëndësishme sepse ai është burrë shqiptar, baba shqiptar, dhe një model i ri që thyen format e vjetra pa i fyer ato. Ai nuk e refuzon kulturën tonë — ai e transformon atë nga brenda, me butësi, me dashuri dhe me vendosmëri.
Në një shoqëri ku shumë burra janë ose autoritarë, ose tërhiqen emocionalisht, ai zgjedh të jetë aktiv pa e zënë hapësirën e vajzës së tij. Ai është prezent, por jo hijë; mentor, por jo zotërues. Dhe kjo është rrallë.
Dukagjin Lipa është më shumë se një baba i një superylli. Ai është një shembull për çdo burrë shqiptar që dëshiron të jetë baba pa e ndrydhur vajzën në emër të dashurisë. Ky model i atësisë që ndërton dhe nuk kontrollon, që mbështet pa e penguar, u bë edhe më i dukshëm në skenën e Sunny Hill Festival, ku Dukagjin dhe Dua Lipa interpretuan së bashku këngën “ERA”. Nuk ishte vetëm një performancë artistike. Ishte një akt i ngarkuar me domethënie simbolike: një baba dhe një bijë, në skenë si të barabartë, të bashkuar në art, pa hierarki, pa censurë emocionale. Ishte një moment i rrallë, prekës dhe fuqishëm emancipues — që përmblodhi me elegancë gjithë atë çka kjo ese përpiqet të artikulojë.
Shihni vetë: Dueti ERA në Sunny Hill Festival
Ndoshta ndryshimi i madh në kulturën tonë nuk do të vijë nga ligjet, as nga reformat, por nga mënyra se si një baba sheh vajzën e tij. Nëse ajo shihet si qenie me zë, me trup, me vendime dhe të drejtë për t’i marrë ato, atëherë kemi bërë një hap drejt shoqërisë së lirë.
Dukagjin Lipa nuk është vetëm një baba që “e lejoi” vajzën të ndjekë ëndrrat — ai është një baba që ndërtoi një hapësirë ku ëndrrat e saj ishin të ligjshme, të dëgjuara, të ndjekura. Dhe në këtë proces, ai nuk ndërtoi vetëm një yll, por ndoshta frymëzon një brez të ri të baballarëve shqiptarë. Dhe disa të tillë që merren me zgjedhjet vestimentare te Duas, do të qe mirë të mësojnë nga Dukagjin Lipa.
Sepse ndonjëherë, revolucioni më i thellë ndodh në heshtje — në mënyrën si një baba zgjedh të mos e ndrydhë vajzën e vet.
Çfarë duhet të bëjë babai shqiptar për të mos e ndrydhur vajzën?
Pyetja është urgjente. Sepse shumë burra shqiptarë e duan vajzën e tyre, por dashuria e tyre vjen e përzierë me frikë, kontroll dhe moralizim. Ja disa parime që mund të mësojmë nga modeli i Dukagjin Lipës:
Të heqë dorë nga ideja se vajza është simbol i moralit të tij. Ajo është individ, jo pronë e nderit familjar .
Të mësojë të dëgjojë pa ndërhyrë. Pyetja “çfarë ndjen?” është më e rëndësishme se “çfarë do të thotë bota?”
Të jetë i pranishëm, por jo gjykues. Të jesh aty për vajzën nuk do të thotë ta ngulfatësh me këshilla, por ta mbështesësh me qetësi.
Të lejojë lirinë e saj trupore dhe emocionale. Trupi i vajzës nuk është “tokë e shenjtë” për ruajtje, por shtëpi që ajo vetë duhet ta zotërojë e ta qeverisë.
Të mësojë që dështimi është pjesë e rritjes. Të mos kërkojë vajzën perfekte, por vajzën e lirë.
*Dua Lipa është një vajzë e re e emancipuar dhe një model frymëzimi. Kjo ese fokusohet në një aspekt të veçantë të formimit të saj dhe i kushtohet mjedisit që e ka ndihmuar të rritet. Roli i nënës së saj është padyshim thelbësor; megjithatë, në kulturën shqiptare, është më së shpeshti figura e babait — dhe patriarkati në kuptimin më të gjerë — që përplaset me vlerat moderne. Siç e tregon edhe titulli, kjo ese është një reflektim mbi një aspekt, jo një analizë e plotë e botës së Dua Lipës./KultPlus.com