KYC për provimin e maturës: Nxënësit kopjuan dhe nuk respektuan masat AntiCovid

29 Gusht, 2020 - 8:58 pm

Këshilli Rinor Kosovar ka monitoruar sot procesin e Provimit të Maturës Shtetërore, në njëzet e pesë komuna të Kosovës, në gjithsej dyzet qendra të ndryshme testimi, ku ka gjetur se masat kundër pandemisë, të përcaktuara nga MASh dhe IKSHPK-ja, nuk janë respektuar në nivelin e kënaqshëm, njofton Insajderi.

Kurse, nxënësit edhe pse i janë nënshtruar kontrolleve nga personat përgjegjës, sërish kanë gjetur mënyra për të përdorur telefonin me qëllim kopjimin apo bashkëpunimin.

Për monitorim të Provimit Shtetëror të Maturës, KYC thotë se ka angazhuar dyzet monitorues, të cilët kanë vëzhguar me përpikëri mbarëvajtjen e procesit të testimit mbi bazën e rregullave të sjelljes karshi legjislacionit dhe kushteve të mbajtjes së procesit nën rekomandime të normave shëndetësore në situatë pandemie.

Sipas KYC, pas analizës së raporteve të pranuar nga monitoruesit në terren, kjo organizatë ka nxjerr informatat si rezultate pre-eleminare të monitorimit të Provimit Shtetëror të Maturës duke i paraqitur ato më poshtë të renditura që të pasqyrojnë monitorimin e aspektit teknik, administrativ dhe cilësor.

“Të gjeturat nga monitorimi i Provimit Shtetëror të Maturës: Masat kundër pandemisë, të përcaktuara nga MASh dhe IKSHPK-ja, nuk janë respektuar në nivelin e kënaqshëm. Intervenimi në shenjëzimin e vendeve për të krijuar dhe mbajtur distancë dhe vendosja për përdorim e dizenfektuesëve në hapësira të qendrës si në klasa të testimit dhe korridore, këto masa, duke përfshirë maskat dhe distancën fizike nuk janë respektuar nga të gjithë nxënësit/et dhe administruesit/et. Përkundër të rasteve të kërkesës së administruesve/eve the të Komisionit në fillim të testimit, maskat edhe kur kanë qenë prezentë nuk janë vendosur në formën e duhur përfshirë dhe rastet kur ato nuk janë mbajtur fare. Administruesit/et e përcaktuar/a nga MASh, nuk kanë ardhur me kohë në qendrat e testimit. Ani pse testi ka filluar me kohë në shumicën e qendrave të testimit, vonesa e disa administruesve/eve ka shkaktuar që përbrenda qendrave, klasat te mos fillojnë testimin në të njëjtën kohë por i është ofruar kohë shtesë në shumicën e rasteve. Nxënësit/et, edhe pse i janë nënshtruar kontrolleve nga personat përgjegjës sërish kanë gjetur mënyra për të përdorur telefonin me qëllim kopjimin apo bashkëpunimin. Si një problem kryesisht i përsëritshëm ndër vite, në momentin e fillimit të testimit, fotografi, pyetje dhe përgjigje të testit janë publikuar në grupe jo-formale të hapura në rrjete sociale ku KYC janë anëtarësuar për të përcjellë problemin. Ky fenomen ka rezonuar të tërë Kosovën dhe në të njëjtën kohë nga monitoruesit/et në terren është deklaruar për raste të përjashtimit të nxënësve/eve apo tërheqjes së vërejtjes për përdorim të telefonit”, thuhet në komunikatën e KYC.

Kjo organizatë është ndalur edhe te problemet teknik si ndikues i procesit të Provimit Shtetëror të Maturës, siç ishte dhe mungesa e testeve rezervë të lëndëve zgjedhore si dhe shpërndarja jo në kohë e fletë – përgjigjeve.

“Përveç ngatërresave në përzgjedhjen e lëndëve zgjedhore, problem teknik dhe me lista të emrave të kandidatëve/eve, ndër të tjera është deklaruar nga monitoruesit/et e terrenit që në raste të caktuar nuk ka pasur teste rezervë të lëndëve zgjedhore dhe kanë dëgjuar ankesën për gabime teknike të pyetjeve gjë që ka qenë çorientuese për nxënësit. Bashkëpunimi, kopjimi i nxënësve/eve dhe keq-administrimi janë vërejtur. Një dukuri tjetër e përsëritshme ndër vite duket të jetë sipas deklarimit nga monitoruesit/et në terren një numër i dukshëm i rasteve të bashkëpunimit dhe kopjimit të nxënësve/eve, disa raste të ndihmës së ofruar nga administruesit/et e testit, si dhe lejimit të bashkëpunimit të nxënësve. Shpesh janë deklaruar raste edhe mbi të gjeturën që administruesit/et nuk kanë qenë të përgatitur/a për t’u përgjigjur në pyetjet teknike mbi procedurën e testimit dhe plotësimit të fletë-përgjigjeve. Ndërsa, zhurma në klasë, ka qenë evidente përgjatë testimit, posaçërisht në periudhën afër përfundimit të testit, kur janë shpeshtuar lëvizjet më të shpeshta të nxënësve/e për në tualet, dhe lehtësimit të masave të administrimit në klasë dhe krijimit të një ambienti të qetë nga administruesit/et kanë filluar të lehtësohen. Këshilli Rinor Kosovar – KYC ka monitoruar dyzet (40) qendra të testimit në njëzet e pesë (25) komuna të Kosovës, të cilat janë: Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë, Shtime, Skenderaj, Suharekë, Vushtrri, Obiliq, Malishevë, Deçan, Dragash, Drenas, Fushë Kosovë, Lipjan, Kamenicë, Rahovec, Kaçanik, Podujevë, Klinë, Viti dhe Istog. Pas përpunimit të dhënave nga tereni Këshilli Rinor Kosovar- KYC do të publikoj raportin të Monitorimit të Provimit Shtetëror të Maturës”, thuhet në komunikatë.

KYC ka realizuar këtë monitorim me leje të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe në mbështetja nga Friedrich Ebert Stiftung – FES. / KultPlus.com

Të ngjajshme