Vajza e priftit

20 Shkurt, 2023 - 10:23 pm

Përktheu Arian Starova

Ajo vjen në heshtje. Nuk ka buçima sirenash, drita makinash që ndizen e shuhen; apo turma ndihmësish që njoftojnë ardhjen e Angela Merkelit në kishëzën e thjeshtë, me tulla, të Potsdamit, menjëherë sapo del nga Berlini. Ecja e saj, disi e kërrusur, është e qëllimtë. Kamerat e i-Phon-ëve leshojnë dritë dhe, ndërsa kalon rradhët e besimtarëve – kjo grua, që i urren kamerat – buzëqesh butësisht. Këta janë njerëzit e saj. Megjithëse kisha ndodhet pranë kryeqytetit, ky është një grup tjetër, ndryshëm nga ai i njerëzve të sofistikuar të Berlinit, me të cilët Merkel kalon pjesën më të madhe të ditëve të punës. Babai i saj kishte qenë prift, në një kishëzë të thjeshtë, të ngjashme si kjo dhe, në këtë mbrëmje të lagësht vjeshte, kjo shtëpi e thjeshtë e adhurimit të Zotit ofron një strehëz të përkohëshme, mbrojtëse, ndaj turbullive të mandatit të saj të katërt dhe të fundit, si kancelare. Ditët kur mund të përvidhet në krahinën ku banon, në Brandenburg- bashkë me shëtitjet nëpër pyjet perreth- po bëhen gjithnjë e më të rralla. Ajo është shumë më e zënë, se zakonisht, me shpëtimin e botës.

Sonte, ndërkohë që Merkel mbërrin në Oberlinkirche, e rrethuar nga njerëz që njihen si të afërm të familjes, kancelarja gjashtëdhjetë e tre vjeçare, e Republikés Federale të Gjermanisë, ia lejon vehtes qe, për pak çaste, ta lerë mënjanë truprojën. Ajo mban uniformen e zakonshme: xhaketë me nuanca të ndryshme, të së njëjtës ngjyrë (sonte e ka të gjelbër, të errët) dhe pantallona të zeza. Me këpucë të sheshta, të zeza, të shtrënguara, ulet në një kulltuk të vendosur në kënd të drejtë, përpara altarit, me majat e gishtave të duarve që preknin lehtazi njëri- tjetrin. – veprim aq i njohur për gjermanët, sa që ka edhe një emoji për të. “Çdo mëngjes të fëmijërisë sime e çdo mbrëmje, më gjashtë, binin këmbanat e kishës. Më merr malli për këtë rit,” – u thotë të pranishmëve, që rrinë në heshtje dhe që e vlerësojnë këtë shkëndijë të rrallë vetjake, të udhëheqëses së tyre, e cila është një person jashtëzakonisht privat. Vetëm për një çast, buzëqeshja e kancelares – që nuk i ngjan asaj të një politikani – ia rrafshon brazdat e thella të tipareve. Vitet e fundit, bota e gruas së parë kancelare të Gjermanisë është tronditur nga trazirat shoqërore dhe politike. E goditur nga vala në rritje e populizmit botëror, Merkel është poshtëruar nga ekstremistët e krahut të djathtë, që tani, janë të pranishëm në Parlamentin Gjerman (Bundestag), për herë të parë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Tronditja e një populisti amerikan, në Shtëpinë e Bardhë, që vlerësonte me ngazëllim Vladimir Putinin, kundërshtarin e Merkelit në Moskë, është ende e freskët.

“Ditën e parë të shkollës,” – vazhdon Merkel, duke na dhënë mundësinë të kqyrim vështirësitë e rritjes së një vajze prifti, në Gjermaninë Lindore, ateiste, – “studentëve iu kërkua të ngrihen në këmbë dhe të tregojnë për profesionin e prindëve të tyre.”

“Thuaj shofer”, e këshilluan Angelan shokët, meqenëse profesioni shofer ishte më i pëlqyer për proletarët, se sa veprimtaria e priftit – në gjermanisht të dyja fjalët tingëllojnë thuajse njëlloj.

“Prift,” u përgjigj ajo.

Merkel nuk ka nevojë t’u shpjegojë të pranishmëve sa i rrezikshëm ishte sinqeriteti në Gjermaninë Lindore. Edhe fëmijëve, madje, u duhej të përpiqeshin të mos shfaqeshin në atë shtet që mbikqyrte gjithçka. Depërtimi i Stasi-t në shoqëri ishte më i thellë dhe më i gjerë, se ai i paraardhësit, Gestapo-s. Ministria e Sigurisë Shtetërore kishte njëqind e shtatëdhjetë e tre mijë (173,000) punonjës, ku përfshiheshin informatorët; krahasuar me shtatë mijë (7,000) punonjës, që kishte Rajhu i Tretë. Për çdo gjashtëdhjetë e tre njerëz kishte një informator. “Natyrisht, kjo lloj fëmijërie ushtroi ndikim mbi jetën time,” thotë Merkel, duke na dhënë, ndoshta pa dashur, çelësin për të kuptuar se kush ishte kancelarja; se si, në mënyrë të habitshme, e kishte mbajtur pushtetin, përgjatë një dhjetëvjeçari e gjysmë dhe përse ajo mbetet një figurë e mistershme, edhe në vendin e saj dhe, natyrisht, në botë.

Duke e rikthyer bisedën tek e tashmja, prifti Matthias Fichtmuller e pyet kancelaren, nëse i lexon librat që janë shkruar për të. “Po, por nuk e njoh vehten aty,” qesh Merkel. Të tjerët qeshin bashkë me të. “Jam siguruar shumë që të ketë kufij, kështu që, disa pjesë të jetës sime nuk janë të hapura për publikun,” thotë ajo. Merkel e ka bërë të qartë se interesi i të tjerëve për të duhet të përqëndrohet vetëm tek roli i saj zyrtar. Një fshehtësi e tillë është tashmë një kod brenda njerëzve të rrethit të kancelares. Në gjashtëmbëdhjetë vjet të Merkelit si kancelare, nuk ka pasur asnjë rrjedhje informacioni, asnjë lloj kujtimi që të rrëfejë gjithçka të shkruar, qoftë edhe nga ish pjestarë të kabinetit, ose njerëz të besuar. Ndihmësit e saj, jashtëzakonisht besnikë, janë mbrojtës të thellë të gruas, së cilës, pjesa më e madhe e tyre, i kanë shërbyer për një dhjetëvjeçar e gjysmë. “Prap këtu ju?” u habit presidenti amerikan, Barack Obama, kur pa ekipin e Merkelit, gjatë një udhëtimi në Berlin, në vitin 2016. Ata ishin, thuajse, të pandryshuar, që prej kohës kur ajo kishte marrë detyrën, në vitin 2008.

Pas disa dhjetëvjeçarësh, gjermanët nuk ndjehen të lodhur nga shfaqja e saj, nga zëri, nga figura e saj e afërt – sepse Merkel nuk ka qëllim të bjerë në sy. Megjithëse dihet pak mbi jetën private të kancelares, pavarësisht nga kjo, ajo na paraqitet si njeri që bën një jetë jo shumë të ndryshme nga të tjerët. Gjermanët e rizgjodhen atë tri herë dhe, çdo herë, me përqindje të mirë. Një herë në kushedi sa kohë, ata mund ta kenë parë kancelaren e tyre të veshur me rroba të veçanta, festive, me rastin e Festivalit Wagner, në Bayreuth të Gjermanisë; por, po aq gjasa kanë ta shohin tek e bën vetë pazarin. Ajo përvetësoi mësimin e paraardhësve si Helmut Kohl – i cili e paraqiste familjen, gruan dhe fëmijët, si një familje gjermane e përsosur, derisa gruaja kreu vetëvrasje, kurse djemtë u larguan; – ose, si heroi i Luftës së Ftohtë, Willy Brandt, i cili, më vonë, u zbulua se kishte qenë një depresiv, i varur nga seksi.

Ndonjëherë, këmbëngulja e Merkelit për privatësi arrin deri në skajet e paranojës. Ajo nuk mban ditar, nuk përdor email; shkruan vetëm shkurt dhe kur është e domosdoshme. Zbulimi nga një bashkëpunëtor i një hollësie, në dukje të vogël, mbi jetën e saj private, mund të bëhet shkak për t’i dhënë fund marrëdhënies mes tyre. Një aleati politik të saj nuk iu rikthye asnjëherë besimi i Merkelit, pasi ai publikoi një email të përbërë nga katër fjalë, ku shkruhej: “Faleminderit për këshillën, A.M.”/ KultPlus.com

Të ngjajshme