30 Qershor, 2025 - 4:20 pm
Lekbibaj në Tropojë është fshati i tretë që i bashkohet aplikimit të Shqipërisë në programin ‘Fshatrat më të mirë turistikë’ nga Organizata Botërore e Turizmit”, pas atij të Zogajt në Shkodër dhe Nepravishtës në Gjirokastër.
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro publikuan pamje nga Lekbibaj, duke theksuar se është një fshat që përcjell rrënjët e traditave dhe mikpritjen.
“Lekbibaj, zemra e Nikaj-Mërturit sjell jehonën e Alpeve, përcjell forcën e qëndresës dhe rrënjët e traditave e mikpritjes së bjeshkëve në hartën globale të turizmit të qëndrueshëm si një nga 6 fshatrat që përfaqësojnë Shqipërinë në nismën globale “Fshatrat më të Mirë Turistikë në Botë” nga Organizata Botërore e Turizmit, u shpreh Kumbaro.
Ky aplikim është një pasqyrë e gjithë zonës së Nikaj-Mërturit, me pamje dhe frymëzim nga fshatrat e mrekullueshëm përreth.
Lekbibaj është kthyer vitet e fundit në destinacion të preferuar për këdo që adhuron natyrën dhe Alpet e Shqipërisë.
Afërsia me Komanin dhe Fierzën e bëjnë edhe më të veçantë. Ai shtrihet përballë liqenit të Komanit, ndërsa në të majtë të fshatit gjarpëron lumi i Currajve, i cili në fund të fshatit derdhet në liqenin e Komanit.
Shqipëria ka aplikuar për programin ndërkombëtar “Fshatrat më të mirë turistikë” të Organizatës Botërore të Turizmit, një nismë që vlerëson fshatrat që kanë ruajtur identitetin, trashëgiminë dhe natyrën e tyre, duke zhvilluar turizmin në mënyrë të qëndrueshme.
Gjashtë fshatrat përfaqësojnë pasurinë dhe shumëllojshmërinë e Shqipërisë rurale: nga majat e thepisura deri tek fushat pjellore e nga gurët e lashtë tek ngjyrat e jetës së përditshme.
Shqipëria konkurron mes 65 shteteve, me plot 270 fshatra, që garojnë për titullin “Fshatrat më të mirë turistikë”./ KultPlus.com