3 Gusht, 2025 - 8:33 pm
Leskoviku vitet e fundit është kthyer në destinacionin e preferuar të turistëve vendas e të huaj.
Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga perëndimi i diellit në Leskovik.
Segmenti i ri rrugor Ersekë – Leskovik ka sjellë edhe rritjen e numrit të turistëve, ku përmes tij ofrohet një udhëtim magjepsës përmes natyrës së pazbuluar të një tjetër zone të mrekullueshme të Shqipërisë.
Qyteti i Leskovikut ka qenë një qendër e lashtë. Këtë e vërtetojnë gjetjet arkeologjike, kultet, dhe një dokumentacion i pasur nga periudha më të hershme, sidomos në Mesjetë. Edhe defterët osmane e përmendin Leskovikun me fshatrat përreth shumë të populluar.
Leskoviku veçohet për relievin malor e kodrinor, me pyje, florë dhe faunë të pasur, me burime ujërash minerale-kurative e vreshtari të begata.
Gjithashtu, Leskoviku është një nga krahinat më të njohura të juglindjes së vendit për trashëgiminë kulturore, për vreshtarinë, llixhat e Sarandoporit, kishën e Cerskës, Postenanin e shumë atraksione të tjera të kërkuara nga turistët vendas e të huaj./atsh/KultPlus.com