25 Maj, 2025 - 11:31 am
Lezha çeli zyrtarisht mbrëmjen e djeshme sezonin turistik për vitin 2025.
Në një aktivitet festiv të organizuar në Shëngjin morën pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja; ish-kryetari Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferri; Ardita Sinani, kryetare e komunës së Preshevës; kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremo; ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Dyrmishi; si dhe vizitorë të shumtë nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Presheva.
Kryebashkiaku Ndreu tha se “jemi krenarë se kemi ecur para në zhvillimin e turizmit. Por ka akoma për të bërë. Çdo vit nuk do reshtë puna për një ambient më komod dhe më atraktiv, me infrastrukturë më të mirë për pushuesit”.
“Përgjate këtyre viteve Shëngjini, Talja dhe Lezha kanë pësuar ndryshime rrënjësore. Kemi nisur zyrtarisht sezonin turistik, i cili pa dyshim do të jetë i mbarë”, tha Ndreu.
Qytetarët shijuan performancat e këngëtarëve të njohur Luiz Ejlli dhe Teuta Selimi.
Pjesë e festës ishte edhe panairi i artizanatit dhe kulinarisë, ku u promovuan produktet tradicionale dhe vlerat kulturore të zonës.
Ndërsa operatorët turistikë prezantuan ofertat dhe paketat për pushuesit vendas dhe të huaj, duke synuar të tërheqin sa më shumë pushues në Shëngjin.
Lezha ka një sërë resursesh, të cilat vizitohen nga turistët dhe vizitorët e shumtë, ndër të cilët kryesojnë pushuesit nga Kosova./atsh/ KultPlus.com