Liqeni i Shkodrës në UNESCO, mbahet konferenca përfundimtare Shqipëri – Mali i Zi

30 Korrik, 2025 - 1:05 pm

Në Mal të Zi u mbajt konferenca e përbashkët përfundimtare për përgatitjen e dosjes drejtuar UNESCO-s për shpalljen e Liqenit të Shkodrës si Rezervë Biosfere Ndërkufitare.

Konferenca e përbashkët mblodhi mbi 70 pjesëmarrës nga palët dhe grupet e interesit, aktorët lokalë, donatorët, ekspertët, ministritë përkatëse dhe sekretariati i UNESCO-s.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se, dosjet përkatëse të nominimit janë gati për t’u dorëzuar në ministritë përkatëse dhe do të shërbejnë për dy komponentë të rëndësishëm: prezantimin e rezultateve e arritjeve të projektit, si dhe dakordësimin mbi hapat e mëtejshëm të nevojshëm për të krijuar SLW – TBR (Shkodra Lake Watershed-Transboundary Biosphere Reserve/ Pellgu ujëmbledhës i Liqenit të Shkodrës-Rezervë Biosferë Ndërkufitare).

Konferenca përfundimtare shërbeu për të prezantuar arritjet dhe për të përcjellë një mesazh angazhimi dhe bashkëpunimi rajonal për publikun e gjerë. Përmes programit të rezervave të biosferës, një zhvillim i qëndrueshëm i gjelbër është i mundur për rajonin dhe për ta arritur këtë, ndryshimi i mentalitetit dhe i qëndrimit është i domosdoshëm. Gjithashtu, një harmonizim dhe partneritet i palëve të interesuara, është çelësi i suksesit.

Në fund të konferencës panairi i kulturave dhe natyrës shfaqi mundësitë dhe potencialet e rajonit të ardhshëm të Biosferës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme