“Manifesta 14”, Çeku: Është një përpjekje për rigjenerim urban dhe promovim i jashtëzakonshëm i Kosovës

13 Korrik, 2022 - 9:15 pm

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në një paraqitje televizive në Klan Kosova ka deklaruar se Manifesta do të jetë një promovim i jashtëzakonshëm i vendit të Kosovës, përcjell KultPlus.

“Një lloj përpjekje për rigjenerim urban” është mënyra se si i pari i kulturës e ka shpjeguar se çka është Manifesta, pra, mes tjerash ka të bëjë edhe me ekspozita të artistëve dhe punës së tyre, por gjithashtu edhe mision kryesor ka rigjenerimin urban.

“Një ngjarje e këtyre përmasave dhe vet fakti që po organizohet në kryeqytetin tonë është një dëshmi e pjekurisë dhe e aftësisë së shoqërisë në përgjithësi, të komunitetit artistik në veçanti, por edhe institucionet për të mirëpritur një numër të madh të artistëve dhe për ta shndërruar kryeqytetin tonë dhe shtetin tonë në një hapësirë lehtësisht të identifikueshme të artit bashkëkohor”.

“Presim shumë sivjet edhe në raport me një lloj gjallërimi artistik urban, sepse Manifesta s’është vetëm ekspozitë e artistëve, ose punë e artistëve që ndodh në hapësira të caktuara, por edhe një lloj përpjekje për rigjenerim urban dhe një rigjenerim për ta përfshirë komunitetin në transformimin e hapësirave tona jetësore dhe publike. Mbi të gjitha Manifesta do të jetë një promovim i jashtëzakonshëm për shtetin tonë”, theksoi ministri.

“Prezenca e artistëve nga jashtë, prezenca e një numri të madh të gazetarëve që mbulojnë kulturën në mediat më prestigjioze është një imazh shumë i mirë, një pasqyrim shumë i mirë i një realiteti shumë të saktë të Kosovës”, tha ai.

Kanë mbetur edhe 9 ditë nga hapja e “Manifesta 14”, ngjarje e cila do të qëndrojë e hapur deri më 30 tetor. /KultPlus.com

Të ngjajshme