Margariti: Fond i dedikuar për artizanatin, numër i lartë vizitorësh në muzetë kombëtare

18 Janar, 2023 - 4:30 pm

Duke bërë bilancin e vitit që lamë pas, ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se në çdo nismë të marrë është vlerësuar impakti ekonomik që sjell kjo nismë.

“Ekonomia e së bukurës ka qenë kryefjala e çdo nisme dhe këtë e tregon mirë viti 2022”, tha Margariti.

Në 2022 ka pasur 689 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në institucionet e trashëgimisë kulturore. Kjo shifër i afrohet asaj të para pandemisë, ku 54 % e këtyre vizitorëve ishin të huaj. Të ardhurat nga këta vizitorë arritën e 239 milionë lekë të cilat kalojnë në pjesën e mirëmbajtjes, duke u kaluar drejtorive apo qendrave që menaxhojnë ato territore.

Në muzetë kombëtare është arritur numri më i lartë i vizitorëve, ku Muzeu Historik Kombëtar mban rekordin.

Ka pasur projekte të ndryshme për mbështetjen e skenës artistike dhe skenës së pavarur. Fondi i teatrit të të rinjve, ka bërë që vëmendja të mos jetë vetëm në Tiranë por mbështetja e buxhetit të Shtetit të jetë e shpërndarë në të gjithë territorin. Këto nisma, tha ministrja, nuk janë nisma me afat 1-vjeçar dhe do të ketë më shumë buxhet sesa 1 vit më parë, duke parë numrin e aplikuesve në projekte të ndryshme.

Ndër projektet e artit, Margariti ka veçuar një projekt dedikuar artizanëve.

Ata do të mbështeten akoma më shumë pasi në shifrat e dala nga turizmi del se ata janë një pit-stop i turistëve të huaj, prandaj do të kenë një fond të dedikuar./ KultPlus.com

Të ngjajshme