Margariti: Kristaq Dhamo, gur themeli në historinë e filmit shqiptar

14 Gusht, 2022 - 6:07 pm

 Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të regjisorit Kristaq Dhamo, duke e cilësuar atë si gur themeli, që do të mbetet i pavdekshëm në historinë e filmit shqiptar.

“Sot u nda fizikisht prej nesh babai i kinematografisë shqiptare, regjisori i filmit të parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, kineasti vizionar, artisti që na bëri të ëndërrojmë atëherë kur ëndrrat dukeshin aq të largëta; një shkollë për të gjitha brezat e rinj, mjeshtri Kristaq Dhamo! Gur themeli, që do të mbetet i pavdekshëm në historinë e filmit shqiptar!”, u shpreh Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Dhamo lindi në Libofshë të Fierit, më 20 prill 1933. Kreu liceun artistik “Jordan Misja”, më 1952, dega dramaturgji. Për një periudhë të gjatë kohe, Kristaq Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i kinostudios (1973¬1981 dhe 1984-1992). Është regjisori që realizoi filmin e parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, “Tana”, i cili qe gjithashtu edhe filmi i tij i parë, me të cilin mbrojti edhe diplomën (1958).

Dhamo ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë, me organizimin e disa kurseve profesionale. Në 1979 i është dhënë titulli “Artist merituar” dhe në vitin 1987 është nderuar me titullin “Artist i Popullit”. Në festivalin e XI-të i filmit shqiptar 2000 është nderuar me çmimin e karrierës./atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme