Marrëveshje e re bashkëpunimi, të rinjtë njohin Torrën Veneciane

24 Janar, 2024 - 7:42 pm

Sot filloi në Torrën Veneciane programi i edukimit informal përmes trashëgimisë kulturore, si një bashkëpunim midis Qendrës Muzeore Durrës dhe Zyrës Vendore Arsimore Durrës.

Ky program synon t’u mundësojë të gjithë nxënësve të shkollave të qytetit të Durrësit njohjen me këtë monument, që tashmë është shndërruar në një qendër interpretimi të trashëgimisë së qytetit antik.

Titullarët e të dy institucioneve nënshkruan, në kuadrin e këtij programi, një marrëveshje bashkëpunimi, veprimi i së cilës do të shtrihet edhe gjatë vitit të ardhshëm shkollor.

Torra Veneciane ishte një nga vendet e Trashëgimisë Kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Punimet e rinovimit u fokusuan në ruajtjen e tipareve origjinale të ndërtesës dhe restaurimin e komponentëve kryesorë duke e përshtatur me standardet bashkëkohore.

Torra është pjesë e kalasë bizantine të Durrësit (shpallur monument kulture i kategorisë së parë), e cila konsiderohej si një nga kështjellat më të fuqishme të bregut perëndimor të detit Adriatik. Kalaja që shohim sot e ka origjinën nga fushatat e para ndërtimore të Perandorit Bizantin Anastasius I (491–518), i cili ishte nga Durrësi (Dyrrachium i lashtë). E ndërtuar në majë të kalasë bizantine, torra i përket shekullit XV dhe është e pajisur me topa që mbronin qytetin nga deti. Në fakt, ajo u ndërtua si një kullë e projektuar posaçërisht për artileri dhe shërbeu si një pikë kryesore vëzhgimi e zonës përreth.

Vizitorët  e saj, do të mund të eksplorojnë historinë e Durrësit përmes projeksionit multimedial në kupolë, të zhyten në të kaluarën e lashtë përmes përvojave të realitetit virtual, të marrin informacion për historinë e Durrësit përmes një aplikacioni, tabletave në vendosura në hyrje të torrës dhe nëpërmjet një udhëzuesi audio të disponueshëm në pesë gjuhë. /ATSH /KultPlus.com

Të ngjajshme