15 Korrik, 2025 - 5:47 pm
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” po përgatitet të hapë në fundjavë, ekspozitën “Pazari i humbur i Shkodrës: Ringjallja e një kujtese”.
Kjo ekspozitë sjell për herë të parë në Shkodër koleksionin e Palokë Lacës, një tregtar i hershëm i Shkodrës, artefaktet e të cilit gjenden të ruajtura në arkivën e Muzeut të Etnografisë së Budapestit. Në dialog me objekte nga fondi i etnografisë të Institutit të Antropologjisë dhe me imazhet e papublikuara të arkivit të “Marubit”, ekspozita rrëfen historinë vizuale të Pazarit të Shkodrës, që për dekada ndikoi jetën kulturore dhe ekonomike të qytetit.
Një hapësirë e veçantë i dedikohet edhe dizajnerit të tekstileve Jozef Martini, me punimet e tij në jacquard, që sjellin një qasje bashkëkohore ndaj motiveve tradicionale shkodrane.
Pas përurimit të ekspozitës, vizitorët e ekspozitës dhe të qytetit të Shkodrës mund të shijojnë koncertin e grupit Shkodra Elektronike në shëtitoren e qytetit, duke e plotësuar kështu atmosferën festive të fundjavës.
Projekti i ekspozitës u realizua në bashkëpunim me Muzeun e Etnografisë të Budapestit, Ambasadën e Hungarisë në Tiranë, Ambasadën e Holandës në Tiranë, Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, Bashkinë e Shkodrës dhe u mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./atsh/KultPlus.com