Masakra e Reçakut, Osmani: Bota kuptoi se çfarë bëri Millosheviçi në Kosovë

15 Janar, 2022 - 12:15 pm

Presidentja, Vjosa Osmani ka thënë se masakra e Reçakut ka qenë ngjarja ku bota përfundimisht e kuptoi se çfarë ka bërë regjimi i Millosheviçit në Kosovë.

Në ceremoni përkujtimore të 23-vjetorit të masakrës, ajo tha se regjimi gjenociadal i Millosheviçit ka kryer krime në Reçak kundër popullsisë civile të pafajshme.

“23 vjet më parë jo shumë larg nga vendi ku sot të gjithë bëjnë nderimet e tyre, bota u neverit dhe e kuptoi përfundimisht nga pamjet makabre të masakrës së Reçakut, krimin që ndodhi mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare. Civilëve duarthatë, mëngjesin e ditës së kobshme iu shua jeta mizorisht nga forcat e regjimit të gjenocidal të Millosheviqit”, deklaroi Osmani.

Më tej, Osmani deklaroi se kjo masakër ka dëshmuar se Serbia kishte qëllime shfarosëse ndaj shqiptarëve.

“Atë ditë ‘Kodra e Bebushit’ siç njihet nga banorët lokal ishte pasqyrim i krimit kundër njerëzimit, pasqyrim i krimit kundër shqiptarëve, pasqyrim i synimit shfarosës e gjenocidal të regjimit të Millosheviqit. Ishte pasqyrim i masakrave ndaj njerëzve që gjendeshin në shtëpitë e tyre dhe të cilët u përballën me egërsinë e forcave policore dhe ushtarake serbe”, ka thënë ajo.

Presidentja theksoi se e vërteta për Reçakun është e fuqishme dhe nuk mund të ndryshohet.

“Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzit, por edhe shpërfaqje e qëllimit të Serbisë së atëhershme, për të zhdukur shqiptarët nga faqja e dheut. E Reçaku ishte një nga masakrat e shumta të tmerrshme. Mohimi i fakteve të luftës përmes rehabilitimit të kriminelëve të luftës është përsëritje e krimit. E vërteta për Reçakun është shumë më e fuqishme se çfarëdo propagandë nga bashkëpunëtorët e Millosheviqit”, ka thënë ajo./KultPlus.com

Të ngjajshme