Masat e reja priten të hyjnë në fuqi këtë fundjavë

27 Gusht, 2021 - 6:00 pm

Masat e reja kundër virusit Covid-19, pritet që gjatë fundjavës të hyjnë në fuqi. Kjo pasi, siç e thotë edhe Ministria e Shëndetësisë, në Kosovë është rënduar situata me Covid-19. Në 24-orët e fundit u shënuan 2.098 raste pozitive. Ndërkohë sot vdiqën 16 persona. Nga e premtja e javës së kaluar, 101 persona humbën betejën nga Coronavirusi. Teksa, për një javë u infektuan 16 mijë e 113 qytetarë.

Rikthimi i orës policore, reduktimi i kapaciteteve të punës së gastronomisë, shtyrja e vitit të ri shkollor dhe shtimi i punëtorëve shëndetësore dhe inspektorëve, janë disa nga masat që pritet të zyrtarizohen. Që dy ditë rresh, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po zhvillon takime me përfaqësues të veprimtarive të ndryshme për këto masa.

Sot, ministri i Shëndetësisë në vend, Arben Vitia, zhvilloi takim me Asociacionin e Komunave të Kosovës, e ku u vendos për disa masa që pritet të kalojnë për votim në Qeverinë e Kosovës.

Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi tha për Express, se është propozuar që nga ora 22:00 deri në orën 05:00 të vendoset ora policore e që gastronomia të punoj deri në orën 21:30.

“Mësimi po shtyhet deri më 13 shtator. Gastronomia do të punojë deri në orën 21.30. Ndërsa do të vendoset edhe ora policore nga ora 22:00 deri në 05:00. 1 mijë e 16 punëtorë shëndetësorë dhe inspektorë do të shtohen. Kërkesa e komunave rreth furnizimit me barna do te plotësohet, pra 92 për qind e kërkesave par furnizim do të plotësohen.  Ne si Asociacion kërkuam shtimin e inspektorëve komunal që masat të zbatohen si dhe hapjen e qendrave të reja të vaksinimit, ministri tha se kjo varet prej numrit të  vaksinave. Kërkesa jonë ishte edhe që të bëhet decentralizimi i rekrutimit të personelit shëndetësorë”, ka shtuar ai.

Ndërkohë dje Vitia, për këto masa u koordinua edhe me Odën e Hotelerisë dhe Turizmit. Dasmat, fejesat e ahengjet nuk do të hapen deri më 13 shtator.

“Arsyeja e këtij takimi ishte diskutimi rreth masave të reja që së shpejti priten të hynë në fuqi. Këto janë disa nga masat që do të merren:  Orari i punës do të reduktohet për një orë nga 22:30 në 21:30; Gastronomia do të funksionojë vetëm me hapësirat e jashtme, dhe vetëm 70% të hapësirës; Në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare;  Sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura; Seminaret dhe konferencat në hapësira të mbyllura mund të mbahen vetëm deri në 30 persona; Ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit. Për shkak të numrit të madh të rasteve të të infektuarve me Covid-19 ju lusim t’i respektoni këto dhe masa të tjera që priten të hyjnë në fuqi së shpejt”, kanë njoftuar nga Oda e Hotelierëve.

Ndërkohë, në Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar sot për 2.098 raste të reja me virusin Covid-19.

Brenda 24-orëve janë shënuar 16 raste të vdekjes.

Teksa janë shëruar 1.614 qytetarë të prekur nga ky virus.

Në total numri i rasteve aktive është 25.407

Situatë e rënduar është edhe në spitale.

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se 1139 pacientë janë duke u trajtuar në klinikat për Covid-19 në QKUK dhe në spitalet rajonale.

Sipas njoftimit të ShSKUK-së, 1051 janë të konfirmuar pozitiv me Covid-19.

952 janë me oksigjenoterapi, teksa 55 në gjendje të rëndë shëndetësore. / KultPlus.com

Të ngjajshme