Mbahet edicioni i tetë i manifestimit letrar ‘Vjeshta dhe Vargjet’

13 Nëntor, 2021 - 7:30 pm

Asociacioni i letrarëve dhe artistëve ART CLUB “Rifat Kukaj” në Drenas, ka organizuar edicionin e tetë të manifestimit letrar “Vjeshta dhe Vargjet”. Edicion ky i cili do të mbajë disa aktivitete, ku po ashtu do të ndahen edhe tri çmimet e para për fituesit e këtij konkursi, por edhe çmimi motivues Ilaz Prokshi.

Kryetari i këtij asociacioni, Izet Abdyli, thotë për KosovaPress se do të ketë edhe një ekspozitë virtuale ku do të prezantohen ballinat e librave të poetit Ymer Elshani, por edhe një prezantim i botimeve të Art Club, brenda dy edicioneve.

“Ky është edicioni i tetë i manifestimit letrar ’Vjeshta dhe Vargjet’ i cili organizohet nga Asociacioni i letrarëve dhe artistëve i Art Club ‘Rifat Kukaj’ në kujtim të shkrimtarit dhe poetit Rifat Kukaj. Dhe sivjet ky edicion përmban disa aktivitete, do të ketë një tryezë tematike për krijimtarinë letrare të shkrimtarit Ymer Elshani, pastaj do të kemi një orë letrare ku do të lexojnë punimet e tyre pjesëmarrësit në konkursin. Për faktin se ky konkurs letrar ka edhe karakter garues, edhe do të ndahen shpërblimet, tri çmime, do të ndahet çmimi motivues për Ilaz Prokshi, si dhe Art Club ‘Rifat Kukaj’ në bashkëpunim edhe me jurinë në konkursin dhe çmime jetësore në krijimtari është çmim special Rifat Kukaj. Do të ketë edhe një ekspozitë virtuale ku do të prezantohen ballinat e librave të poetit Ymer Elshani si dhe do të ketë një prezantim të botimeve Art Club Rifat Kukaj brenda dy edicioneve”, potencon ai

Më tej ai shton se në këtë konkurs si kriter ka qenë dhe janë poezitë për të rritur, si dhe poezitë që nuk duhet të jenë me më shumë se 20 vargje dhe që nuk ka qenë e botuar më parë.

“Ne kemi shpallur një konkurs letrarë ku janë prezantuar edhe kriteret e konkurrimit dhe është poezi për të rritur, do të thotë moshave të rritura, dhe janë përcaktuar kriteret, ku një poezi nuk mund të ketë më shumë se 20 vargje, nja autorë nuk mund të konkurrojë më shumë se më një poezi, si dhe poezitë të cilat kanë konkurruar nuk duhet të jenë të botuara deri tani çoftë në revista, portale apo rrjete sociale. Do të ndahen çmimi i parë, çmimi i dytë dhe çmimi i tretë si dhe çmimi motivues Ilaz Prokshi. Tri çmimet e para ndahen nga çmimet konkurruese të cilat kanë konkurruar me shifër, do të thotë juria nuk e din autorësinë e atyre që kanë konkurruar, pavarësisht se poezitë do të lexohen si dhe juria tashmë vetëm e ka marrë vendimin e saj si dhe për shkak të mbarë vajtjes së manifestimit juria do të publikojë vendimet e saj në fund”, shton ai.

Manifestimi letrar ”VJESHTA DHE VARGJET’’ organizohet çdo vit në shenjë kujtimi për jetën dhe veprën e shkrimtarit të mirënjohur për fëmijë, të ndjerit Rifat Kukaj./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme