12 Gusht, 2025 - 7:33 pm
(Shkruar nga Avni Spahiu më 26 korrik 1997)
Koha kërkon përgjigje dhe thërret për të qenë kritikë. Të jemi kritikë ndaj raporteve që kemi krijuar, të kritereve që kemi shtruar kur personalisht vërejmë se tragjedia po bëhet fat i pjesës dërrmuese të popullsisë.
Tragjedi e një lloji a një tjetri, që ka kapluar edhe intelektualin, qoftë të ambicieve të frustruara, qoftë të idealeve dhe besimit të luhatur nga rrethanat e krijuara, tepër komplekse që t’i zgjidhë vetëm një njeri dhe tepër madhore që të mos kenë angazhimin e të gjithëve. Shumica është e detyruar të bëjë kompromise vetëm për hir të vazhdimësisë ditore të jetës. Ballafaqohemi për çdo ditë me një mori faktesh dhe kushtesh që nuk bijnë në kategoritë të cilat i kemi kuptuar në të kaluarën. Çdo gjë duket jashtë vendit dhe objektivat që i kemi pasur në mendjet tona tani po qëndrojnë të nguritura derisa të mos shohim se nga jemi duke shkuar. Qëllimi nuk është më i qartë: ne e kemi fshehur pas një mijë e një modifikimesh. Ironikisht, qëllim i vetëm po na bëhet që të mos kemi qëllim tjetër, pos të jetojmë dhe këtë sikur e ndiejmë se është qëllimi më fisnik. Është jo larg së vërtetës nëse themi se fuqitë tona intelektuale kanë zënë të puqen me një pikë të kotësisë dhe të pakuptimësisë dhe pikërisht ata që puqen në këtë pikëpjekje (intelektualët, në rend të parë) i shtrojnë vetes pyetje irituese, hipotetikisht të këtij lloji: “Çfarë duhet të bëhet, për kombin dhe për njeriun tonë? Nga të vemi më tutje? Ç’është më me rëndësi tani?”. Përgjigjet duhen gjetur, nëse jo nga cytje të brendshme ndërgjegjësore, atëherë nga vetë reagimi socio-politik publik, që paraqet një realitet e që mbështet besimin në intelektualin si bazë e gjykimit ultimativ të motiveve dhe të veprimeve individuale.
Megjithëkëtë, janë pikërisht kohë të këtilla, që vënë barrë të rëndë mbi brezat, ato që do të duhej ta tundonin njeriun mbi indiferencën dhe qëndrimin flegman. Të na kujtohet se secili prej nesh ka prekur veten në zemër në adhurimin solemn të lirisë së kombit. Çdo komb që harron lirinë është në rrugë të vetëshkatërrimit dhe vetërrënimit. Dhe, ai komb që është i vetëdijshëm se ka një ideal sipëror që duhet ndjekur pareshtur do të mbijetojë dhe ata që i prijnë këtij ideali do të duhej të ishin pikërisht intelektualët.
Nuk mjafton denoncimi publik dhe fajësimi vetëshfajësues i politikës nga ana e intelektualit, e as heshtja kinse domethënëse e tij në raste dramatike në historinë e kombit, por pjesëmarrja e tij me komponentin vizionar në politikë; nuk arsyetohet heshtja e intelektualit të vërtetë në Shqipëri në kohën kur asaj i tundeshin themelet në duart e politikanëve diletantë, apo animi i tij lakuriq për njërën a tjetrën parti politike; nuk ka kuptim heshtja e intelektualit në Kosovë kur nga ai pritet të sugjerojë se nga duhet shkuar në këtë kohë kur qenia kombëtare në këto hapësira është aq e rrezikuar, apo për çështje madhore, siç është ideja e bashkimit të kombit të ndarë tragjikisht në copëza të robëruara.
Intelektuali i angazhuar kombëtarisht, (për t’i ikur disi termit “politikisht”, që vetëm ne e quajmë term pezhorativ), do të thotë intelektual i guximshëm, i pajisur me atë guxim të forcës mendore që e kanë pasur njerëzit e mëdhenj të kombeve të mëdha. Pikërisht ky ka qenë një problem që e ka shoqëruar shoqërinë shqiptare gjatë tërë ecjes së saj, siç është e njohur edhe nga të tjerët: një mungesë guximi që i ka pasur rrënjët, siç duket, në kundrimin pesimist të jetës, një kundrim mbi të cilin nuk kemi qenë në gjendje të ngriheshim.
Mbi këtë temë, që para një gjysmë shekulli (1941), duke sublimuar veprën letrare dhe patriotike të Fishtës, si “interpret i shpirtit shqiptar”, Ernest Koliqi thoshte:
“I gjithë pesimizmi që lëshoi rrënjë në shekuj të gjatë krajatash në shpirtin kombëtar shfren i pa-fre, i gjithë guximi dëshpërues i një fisi të mësuar ta përbuzë jetën, sepse kjo për të paraqitej si një varg mjerimesh të paprera…” Ndonëse shembujt nuk kanë munguar as në këtë kohë, një kalim prej kësaj gjendje në atë të intelektualit të guximshëm, optimist dhe të angazhuar na duhet pikërisht tani.
(Shkruar më 26 korrik 1997 për Rilindjen”)