Mbyllet edicioni i pestë i Porto Palermo Festival, mbrëmje magjike në pedonalen e Himarës

25 Gusht, 2025 - 10:29 am

Edicioni i pestë i Festivalit të Porto Palermos u mbyll në një mbrëmje magjike në pedonalen e Himarës.

Mbrëmjen e djeshme publiku këndoi dhe vallëzoi me energjinë e Olen Cesarit, Marsela Çibukajt, Dren Abazit, Ansamblit Folklorik Shqiptar, si edhe me pjesëmarrjen e veçantë të këngëtarit gjirokastrit, Roland Çenko dhe këngëtares himariote, Katina Beleri, duke e kthyer natën në një festë të paharrueshme.

Organizatorët e Porto Palermo Festival falënderuan bashkinë e Himarës dhe kryebashkiakun Vangjel Tavo, si edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, për mbështetjen dhe besimin në këtë udhëtim artistik.

Porto Palermo Festival nisi më 31 korrik, me një aksion pastrimi të territorit.

Festivali synoi që jo vetëm të sillte artistët më të mirë, por edhe të promovonte turizmin e qëndrueshëm kulturor në Shqipëri. Kalaja historike e Ali Pashës u mbush me muzikë, emocion dhe energji pozitive për 12 netë të paharrueshme gjatë të cilave interpretuan artistë të jashtëzakonshëm me emocione të forta në një skenë unike.

Natën e çeljes performoi vetë ideatori i këtij festivali, violinisti Olen Cesari. Në datën 1 gusht ishte i ftuar Ansambli Folklorik Shqiptar, ndërsa një natë më pas interpretuan Ledina Çelo, Genc Tukiçi, Dëshira Ahmeti, Anamaria Beqaj.

Mbrëmja 3 gushtit ishte nën magjinë e këngëve të Dren Abazit. Më 7 gusht performoi e mirënjohura Aurela Gaçe, një natë më pas Adrian Trebicka dhe Kastriot Tusha. Ndërsa më 9 gusht, Carlo Paz dhe Sin Fronteras.

Këngëtari Alberto Laurenti performoi të dielën e 10 gushtit, ndërsa në netët finale performuan disa prej artisteve që janë bërë pjesë e pandarë e këtij festivali si Marsela Çibukaj, Eda Zari etj./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme