Me një minutë heshtje në nderim të albanologut të shquar Idriz Ajeti, u bë hapja solemne e Seminarit të 38-të

19 Gusht, 2019 - 1:42 pm

Bujar Meholli

Në ambientet e Bibliotekës Universitare të Prishtinës, u shpall zyrtarisht i hapur edicioni i 38-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ceremonia e hapjes nisi me një minutë heshtje në nderim të albanalogut të shquar, organizatorit të këtij Seminari, akademik Idriz Ajetit i cili u nda nga jeta kohë më parë.

Seminari u themelua 45 vjet më parë nga profesorët e Fakultetit të Filologjisë, duke mbetur kështu referenca kryesore e studimeve albanologjike. Edicioni i sivjetëm do të jetë mjaft i pasur, me pjesëmarrës nga mbarë bota, studiues e studentë, që do të zbarkojnë në Prishtinë.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë prof. Lindita Rugova, iu urojë mirëseardhje të gjithë seminaristëve. “45 vjet më parë pas organizimit të parë të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, ai do të vazhdojë të frymojë me produktin e tij më cilësor dhe më me vlerë të dëshmuar ndërkombëtarisht”, tha ajo. “Sesionet shkencore, referimet, tryezat shkencore, ligjëratat e veçanta dhe kurset e gjuhës shqipe janë shtyllat themelore të Seminarit”, vijoi ajo duke theksuar “Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë dhe prezantimi më me vlerë i shkencës vendore re të shtruar në një kënd global”.

“Një rrugëtim i vështirë por gjithnjë në kërkim të dijes, një tubim kulturor që ka arritur të shndërrohet në institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe arritur impakt në avancimin e shkencës dhe kulturës”, potencoi Rugova.

I pranishëm ishte edhe rektori i Universitetit të Tiranës prof. Mynr Koni, i cili tha se ndjehet i kënaqur për prezencën në këtë ngjarje madhore. “Është një periudhë 45-vjeçare që kur elita e kulturës shqipe kanë bërë të mundur ta mbajnë gjallë dhe të kontribuojnë fuqishëm në studimin e kulturës tonë”, tha ai, kurse akademik Jusuf Bajraktari tha se Seminari do të gëzoi përkrahjen e ASHAK-ut. “Shprehi gatishmërinë dhe përkrahjen time dhe të kolegëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për këtë eveniment të rëndësishëm dhe punën e mëtutjeshme të këtij Seminari. Ndjej respekt për kontributin 45-vjeçar të këtij evenimeti shumë të rëndësishëm”, u shpreh akademik Bajraktari.

Drejtori i Seminarit prof. Shkumbin Munishi, e shpalli zyrtarisht të hapur atë duke thënë se pret një edicion me aktivitete të shumta. “Ky edicion është hallkë në zinxhirin e një tradite albanologike të nisur 45 vjet më parë. Pra, sot shënojmë jubile. Edhe sivjet Seminari ka arritur të mbledh dashamirë të gjuhës dhe kulturës nga mbarë bota duke vazhduar të jetë ngjarja më e rëndësishme kulturore. Këtë vit ka pasur dashamirës të shumtë të gjuhës nga vendet si Rusia, Çekia, Serbia, Rumania, Holanda, Sllovenia, Maqedonia, Ukraina, Kroacia, Suedia e Italia, të cilët kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë”, potencoi Munishi.

“Përgjatë këtyre viteve Seminari, është shënuar me aktivitete më kryesore shkencore në fushën e albanologjisë me ligjëratat, tryezat e sesionet shkencore. Studiuesit e huaj kanë shpalosur studimet e tyre më të rëndësishme shkencore të botuara në revistën e Seminarit, të cilat sjellin një gamë të gjerë vlerash studimore nga letërsia e kultura shqiptare të autorëve më të rëndësishëm”, përfundoi ai.

Seminari mbetet përgjatë këtyre viteve një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend. Pjesëmarrësit e shumë të këtij edicioni nga sot do t’i drejtohen Fakultetit të Filologjisë, dyert e të cilit nga tani janë të hapura për të gjithë dashamirësit e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare. /KultPlus.com

Të ngjajshme