Universiteti ‘Fan Noli’, ndërveprim virtual me Universitetin ‘Aldo Moro’ të Barit

28 Prill, 2023 - 10:30 pm

Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane pranë Universitetit “Fan Noli” të Korçës, u krijoi të rinjve mundësinë e një ndërveprimi virtual me Universitetin “Aldo Moro” të Barit dhe Dhomën e Tregtisë të Rajonit të Puljes, mbi mundësitë e panumërta që ofron fusha Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit për karrierë profesionale, në një treg gjithmonë e më të integruar e që funksionon në ndërveprim digjital, pavarësisht vendndodhjes fizike.

Në aktivitetin e titulluar “Dita e Hapur” ishte i pranishëm edhe prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, i cili i përgëzoi drejtuesit e universitetit dhe fakultetit, veçanërisht dekanen Sonela Stillo dhe profesor Rafael Prodanin, për punën dhe përpjekjet inkurajuese që bëjnë, për të tërhequr interesin e gjimnazistëve, që t’i bashkohen rrugës së dijenxënies pranë universitetit të qytetit të tyre, por edhe për të shfrytëzuar mundësi e dritare plotësuese për trajnime, falë programeve që ofrohen si eksperienca të vlefshme në shtete e qytete të tjera të Evropës.

Në mesazhin e tij drejtuar të rinjve, Nertil Jole theksoi rëndësinë që pavarësisht drejtimit të tyre akademik dhe profesional, asnjëherë të mos e shkëpusin vëmendjen për të dhënë kontribut në vendlindjen e tyre, duke përshfaqur gjithmonë një interes të posaçëm, për të shfrytëzuar çdo potencial që ofron qarku Korçë për zhvillim të mëtejshëm ekonomik në sektorë të ndryshëm./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme