Me protestë, lajmin për bombë dhe shfaqjen “Stiffler”, filloi festivali “Mirëdita, dobar dan!” në Beograd

27 Maj, 2022 - 3:42 pm

Era Berisha

Në Beograd, të enjten filloi festivali “Mirëdita, dobar dan!“ i cili publikut ia prezanton skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës. Si çdo vit, festivali tregon për mundësinë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe këtë herë në edicionin e tij të nëntë ka shpalosur një program tejet të larmishëm dhe më se i nevojshëm që të shihet, dëgjohet e kuptohet nga kultura serbe, shkruan KultPlus.

Fillimisht, ishte rruga drejt Beogradit ajo që nisi hapin e parë drejt këtij festivali. Pjesëmarrësit dhe mediat në këtë festival të cilët u nisën dje herët në mëngjes, kësaj radhe nuk patën asnjë problem me kontrollet e detajuara në pikën kufitare në Serbi. Edhe pse të shoqëruar nga policia serbe gjatë çdo sekonde, por dukej se festivali dalëngadalë po ia arrinte qëllimit për të thyer barrierat Kosovë-Serbi.

Fiona Jelići – Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi)

Ndërkaq, dje në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor, hapjen zyrtare të festivalit “Mirëdita, dobar dan”, e nisën Fiona Jelići nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Kushtrim Koliqi nga organizata kosovare ‘Integra’, të cilët kujtuan jetëgjatësinë e festivalit dhe sfidat nëpër të cilat kaloi vetë festivali gjatë ekzistencës së tij të gjatë. Ata dërguan mesazhe paqeje nga skena dhe shprehën dëshirën për pajtim mes dy popujve.

“Jemi në të njëjtin vend si vitet e kaluara, por bota ka ndryshuar që nga viti i kaluar kur u pamë këtu. Pushtimi rus në Ukrainë dhe fakti që lufta po ndodh përsëri në Evropë shkatërron të gjitha iluzionet që një gjë e tillë është e pamundur”, thotë Jelići.

Ajo theksoi se festivali vjen si një shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për viktimat e luftës në Ukrainë. Duke përmendur obligimin që të punohet edhe më shumë për viktimat e luftës, për pajtimin dhe ndërtimin e paqes në Ballkan, ajo tha se gjersa politikanët merren me armatime duke forcuar ushtrinë, shoqëritë duhet që të shikojnë njëri-tjetrin dhe të flasin mes vete.

“Dje nisëm festivalin me atë që duhet të jetë pika zero e negociatave dhe pajtimit tonë, me ekspozitën “Të gjithë lotët tanë”, ekspozitë kjo që sjell dhimbjen dhe lotët e atyre që nuk e zgjodhën luftën, por e fituan atë. Punimet e fotografëve nga Kosova, Serbia dhe Maqedonia e Veriut mund t’i shihni deri me datën 1 qershor në “Endžio HAB””, tha ajo.

Sipas saj, ekspozita unike fokusohet në historitë e viktimave të luftërave nga rajoni. Qëllimi i vendosjes është prezantimi i publikut të gjerë me këto histori dhe apelimi për mbështetje për viktimat dhe grupet e tjera të prekura në rajon në ndjekjen e tyre të drejtësisë dhe gjetjen e së vërtetës.

Ekspozita “Të gjithë lotët tanë” përbëhet nga 34 fotografi të realizuara nga katër fotografë në vende të ndryshme në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Fotografët nuk e njihnin njëri-tjetrin, dhe arritën të krijonin me fotografitë e tyre një histori universale që bashkonte kujtimet e dhimbshme të njerëzve të zakonshëm dhe vuajtjet e tyre.

“Edhe pse institucionet publike kulturore ende në masë të madhe e injorojnë festivalin tonë, ai po rritet vazhdimisht, falë artistëve dhe audiencës. Në masë të madhe kanë ndodhur më shumë takime të njerëzve, artistëve dhe aktivistëve sesa që ka pasur takime politikanësh nëpër negociata. E di që jemi këtu në shoqërinë e njerëzve që e bëjnë këtë çdo ditë dhe dua që të vazhdojmë të punojmë së bashku”, përfundon Jelići.

Kushtim Koliqi – Integra

Ndërsa, Kushtrim Koliqi nga organizata kosovare ‘Integra’ përkujtoi nisjen e festivalit në vitin 2014 me qëllim që të krijohen lidhjet e reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Gati një dekadë ‘Mirëdita, dobar dan’. Qysh në vitin 2014 kishim nisur këtë rrugëtim me qëllim të krijimit të lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media e shoqëri civile duke diskutuar për tema që nuk diskutoheshin e duke promovuar kulturën si një mënyrë bashkëpunimi dhe të mësuarit për njëri-tjetrin. Sot, në edicionin e nëntë të festivalit, me qëllimin e njëjtë vazhdojmë të punojmë në të njëjtin drejtim, në një situatë politike jo shumë ndryshe nga ajo në të cilën kishim filluar dhe duke u përballur me sfida të shkaktuara nga po kjo politikë”, thotë Koliqi.

Sipas tij, shumëçka ka ndodhur për këto 9 vite në botë, por pak ka ndryshuar raporti dhe qëndrimet e politikanëve në Serbi e Kosovë, kështu duke pamundësuar zgjidhjen e shumë problemeve e çështjeve të trashëguara nga lufta. Për këto arsye, ai konsideroi që organizimi i përvjetshëm i këtij festivali është gjithnjë e më i rëndësishëm në rikujtimin e asaj që njerëzit në të vërtetë duan, njohje e pranim të së kaluarës e vuajtjeve të viktimave për të siguruar paqe e bashkëjetesë ndëretnike në rajon.

“Këtë edicion, ngjashëm me vitet e kaluara fokusi i programit të debateve si dhe programit kulturor është trajtimi i të kaluarës, ofrimi i perspektivave të viktimave dhe vendosja e tyre në qendër. Ajo çka vazhdon të jetë shumë e rëndësishme për festivalin tonë është sfidimi i narrativave paragjykuese e të njëanshme duke iu ofruar qytetarëve të të dy vendeve mundësi që të shohin e diskutojnë për të kaluarën nga perspektiva të ndryshme, në mënyrë që të kuptojnë njëri-tjetrin, kështu duke krijuar hapësira për mënyra të reja të ballafaqimit me të kaluarën”, tha ai.

“Duke kujtuar Bekim Fehmiun, si frymëzim që vazhdojmë ta kemi qysh në edicionin e parë të festivalit e deri më sot, ju ftojmë të na bashkoheni përgjatë këtyre ditëve në eventet e festivalit.”

Maja Stojanoviq – Organizata ‘Iniciativa Qytetare’ (Serbi)

Në fund, Maja Stojanoviq, drejtoreshë e Iniciativës Qytetare, iu drejtua të ftuarve, e cila theksoi se fakti që ka shoqata të familjeve të viktimave nga të dyja palët është dëshmi se festivali e arsyeton ekzistencën e tij dhe kontribuon në pajtimin në rajon. Me këtë rast ajo ka kujtuar edhe Borka Paviçeviqin, e cila dha një kontribut të madh në festival dhe në vitet e vështira ishte një shtëpi e sigurt për të gjithë ata që kultivojnë vlerat e pajtimit dhe paqes.

Përgjatë këtyre fjalimeve, papritmas erdhi lajmi nga policia serbe se një bombë është vendosur diku afër Qendrës së Dekontaminimit Kulturor, aty ku po mbahej kjo ceremoni. Pa panik, të pranishmit dolën jashtë për t’i lënë hapësirë policisë që të kontrollojnë vendin përreth. Në ndërkohë, teksa të gjithë pritnin jashtë aty pari të vendosur ishin dhe pesë protestues të cilët kundërshtonin mbajtjen e festivalit si dhe përkrahnin luftën në Rusi duke përmendur se Serbia dhe Rusia janë vëllezër.

Pesë protestuesit këndonin këngën “Oj kosovo kosovo, zemljo moja voljena”, teksa dhe brohoritjet e tyre anti-shqiptare ishin ato që dëgjoheshin në një masë të madhe.

Nuk deshi shumë kohë që policia të përfundonte kontrollin si dhe të lajmëronte se lajmi ishte i rremë, andaj dhe pjesëmarrësit u rikthyen përsëri në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor.

Sofija Todorović – Qendra e Dekontaminimit Kulturor

Tutje vazhdoi edhe ceremonia e hapjes me drejtoreshën e Qendrës së Dekontaminimit Kulturor, Sofija Todorović e cila ka ndarë çmimin “Mirëdita, dobar dan” për Marinko  Djurić dhe Lush Krasniqin.

“Ajo që do të them është krejt ajo për të cilën është “Mirëdita, dobar dan”. Çdo vit kemi këtë ceremoni të dhënies së çmimit “Mirëdita, dobar dan” për njerëzit që janë simbole të ndërtimit të paqes dhe të pajtimit mes njerëzve në terren. Fituesit e këtij çmimi janë përfaqësuesit e shoqatës së familjeve të viktimave, Marinko Djurić dhe Lush Krasniqi”, thotë Todorović.

Todorović  theksoi se ata ishin atje të pranishëm për të treguar se sa është i rëndësishëm ndërtimi i paqes mes dy shteteve. Fakti që pranë saj janë Marinko dhe Lushi, sipas saj, tregon se nuk mund të arsyetohet që të mos flitet për paqe dhe pajtim.

“Në kuadër të festivalit, kam nderin të ju falënderojmë që në këtë kohë të pasigurisë po qëndroni me ne për t’i dhuruar çmimet.”

Ajo këto dy çmime të festivalit “YIHR Srbija” i ka ndarë për kontributin e dhënë në paqe dhe pajtim koalicion mes Kosovës dhe Serbisë.

Lush Krasniqi, në fjalën e tij ka thënë se së bashku me Marinkon, kanë çjerrë zërin e tyre tash e 20 vite për t’i zgjidhur problemet që sipas tij vijnë nga vetë pushtetarët.

“Faleminderit që jam përzgjedhur për të marrë këtë mirënjohje sepse të nderuarit dinë të nderojnë, të vlerësuarit dinë të vlerësojnë, por kjo që më ofrohet sot e meriton çdo viktimë e luftës dhe unë mendoj që e kam marrë këtë në emër të të gjithëve. Sa i takon të folurit e gjuhëve të ndryshme, unë jam profesionist i gjuhës amtare, por them se në krejt botën, gjuha kryesore është gjuha e kuptimit. Ne si familjarë që kemi humbur më të dashurit tanë, ndjejmë njësoj si këtu si në Serbi, si në Bosnje dhe si në çdo vend ku ka ndodhur lufta. Asgjë më e vërtetë nuk del sesa nga shpirti i një të viktimizuari. Ne së bashku dhe shumë të tjerë dhe me Marinkon, kemi çjerrë zërin tash e 20 vite dhe pushtetarët vinë për t’i zgjidhur problemet por në fakt ata janë autorë të këtyre problemeve”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, ata që kërcënojnë artin dhe kulturën për viktimat, me bomba, duhet ta dinë se bombave që nga viti 1905 nuk ia ka pa askush të mirën.

“Të mendojmë se çfarë po u lëmë gjeneratave dhe fëmijëve tanë në ardhmërinë e tyre dhe ju falënderoj të gjithëve për nderimin që më është bërë”, përfundon ai.

Ndërkaq, Marinko Djurić theksoi se kultura serbe i ka borxh Bekim Fehmiut dhe djalit të tij, Uliskit.

“Është kënaqësi që këtë aksion e udhëheqin të rinjtë pas të cilëve do të mbetet bota. Detyra jonë është që t’i japim atyre mbështetje dhe t’i hapim perspektivat. Unë kam lind në Istog dhe kam jetuar atje teksa edhe fqinjët e mi kanë qenë shqiptarë. Kultura serbe i ka borxh Bekim Fehmiut, djalit të tij Uliskit, sepse pa veprat e tyre të mëdha që i kanë lënë pas vete, ne do të ishim shumë më të varfër”, thotë Djurić.

Ai po ashtu përmendi edhe Angelinën, nënën e shenjtë të Serbisë e cila ka prejardhje shqiptare.

“Angelina e shenjtë e Serbisë vjen nga një familje fisnike shqiptare dhe ishte kunata e Skënderbeut. Për jetën e saj të devotshme ajo është shpallur shenjtore dhe nderohet si e tillë nga Kisha ortodokse serbe. Fatkeqësisht, nënën Angelinë, historia serbe nuk e shënon dhe nuk e njeh. Manastiri Krušedol, aty ku dhe gjenden eshtrat e saj, është i rëndësishëm për historinë serbe dhe për këtë i lus të rinjtë dhe mediat që t’ia kushtojnë pak më shumë vëmendje kësaj pjese të historisë. Ajo tani i ka lind dy djem të cilët janë shumë të rëndësishëm për historinë serbe dhe unë i falënderoj të gjithë shqiptarët për kontributin e tyre”, përfundon ai.

Aktorët: Adrian Morina, Rebeka Qena, Armend Smajli – Shfaqja “Stiffler” (Beograd)

Kështu, dita e parë e festivalit u përmbyll me shfaqjen “Stiffler” që vjen nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe lojën madhështore të aktorëve si: Adrian Morina, Rebeka Qena dhe Armend Smajli. Ky projekt teatror i cili paraqet jetën dhe sfidat e një punëtoreje seksi, trajton një çështje tejet të ndjeshme dhe të dhimbshme që lidhet drejtpërdrejt me të drejtën e njeriut dhe trajtimin e grupit të margjinalizuar në Kosovë.

Me tekstin “Stiffler” nga Dori Basha, shfaqja tregoi përvojën e Havës, punëtores së seksit e cila qysh në fillim shfaqet e therur me thikë në shpinë nga një klient i saj. Përgjatë 24 orëve, ajo kërkon ndihmë nëpër institucione dhe adresa të ndryshme shtetërore por ajo gjykohet nga secila derë në të cilën troket. “Kriminele”, “Kurvë”, “Prostitutë”, “Vjedhëse”, ishin vetëm disa nga emërtimet me të cilat ajo ballafaqohej në secilin moment.

Emri i shfaqjes jo rastësisht titullohet “Stiffler”. Ky titull portretizon thikën me të cilën theret Hava dhe të cilën e mban të ngulur në shpinë përgjatë gjithë shfaqjes si një simbol për të gjitha ballafaqimet e saj. Në secilën derë, ajo vetëm sa vjen e zhgënjehet dhe plaga e saj qëndron e hapur.

“Stiffler” konsiderohet të jetë rrëfim për një shoqëri që përdor moralin si kriter për shfaqje të njerëzisë e ofrim të ndihmës; për një sistem që e ka bindjen se trupi i një gruaje të “pamoralshme” më parë duhet të gjykohet vetë si vepër penale se sa të shikohet si dëshmi e një krimi të dhunshëm. Dhe, përfundimisht, është rrëfim për lehtësinë e amnistimit të dhunës, keqbërësit, e krimit të kryer në emër të virtyteve të shoqërisë.

Pjesë e ekipit artistik të këtij prodhimi janë edhe kostumografja Njomëza Luci, kompozitori Genc Elezaj, skenografi Mentor Berisha, asistent regjisore Kreshnike Osmani, video realizuesi Leart Rama, dizajneri i dritave Yann Perregaux si dhe dizajneri Gëzim Ramizi, pa të cilët kjo shfaqje nuk do të ishte kaq e mrekullueshme.

Premiera e shfaqjes “Stiffler” është shfaqur më 04 dhjetor në Teatrin “Oda” në Prishtinë. Ndërkaq, sonte erdhi premierë në Beograd.

Për të treguar më shumë rreth shfaqjes dhe gjithë asaj se çfarë ndodhi në hapje të festivalit, për KultPlus foli regjisori Kushtrim Koliqi.

“Asnjëherë nuk ma ka marrë mendja që dikush është ballafaquar me kërcënim për bombë teksa është gati të japë shfaqjen, por gjithçka ndodh. Megjithatë më vjen mirë që ky kërcënim vjen i rrejshëm dhe shfaqja vazhdoi mirë me një audiencë plot. Po më duket që reagimet janë të jashtëzakonshme”, thotë Koliqi.

Sipas tij, fokusi i parë janë çështjet që lidhen me krimet e luftës dhe viktimat. Ndërsa tani ai ka dashur që të sjell shfaqje edhe me temë tjetër që është adaptuese edhe në vendet e tjera të Ballkanit.

“Çështja e punëtorëve të seksit nuk është problematike veç në Kosovë por edhe në të gjitha vendet për shkak se shërbimet e tyre janë të ndaluara me ligj në Ballkan. Këta punëtorë të seksit cenohen prej ligjit, moralit dhe shoqërisë. Megjithatë ky grup i njerëzve ka të drejta, ekziston tek ne dhe ne duhet të merremi me problematikat me të cilat ata ballafaqohen”, thotë ai.

Gjithashtu, aktori Armend Smajli për KultPlus ka thënë se lajmi për bombë i ka shqetësuar aktorët qysh në fillim të shfaqjes por që megjithatë kanë vendosur për të vazhduar tutje.

“Lajmi për bombë ishte tejet shqetësuese në disa rrafshe. Disa herë e diskutuam edhe me kolegët se çfarë të bëjmë në lidhje me shfaqjen dhe madje e mendova dy herë se a ia vlen të luaj në shfaqje sepse jemi shqetësuar tepër shumë. Megjithatë, në fund është dashur të mobilizohemi vetëm për këtë audiencë dhe t’i respektonim ata”, thotë Smajli.

Sipas tij, tema e shfaqjes është problematike edhe përtej Ballkanit.

“Shfaqja si temë komunikon me çdo shoqëri që e ka këtë problematikë. Ne si aktorë sonte e kemi ndjerë një lidhshmëri dhe një emocion me publikun qysh nga fillimi e deri në fund”, përfundon ai.

Sonte do të vazhdojë nata e dytë e festivalit me aktivitete të radhës si: Konkursi artistik: Memorializimi i viktimave në Hapësirën ‘Miljenko Dereta’ duke filluar nga ora 17:00, Promovimi i librit “Hije të shtrembëruara” – libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut duke filluar nga ora 18:30, Debati “E kaluara para së kaluarës: Goli Otoku” duke filluar nga ora 19:00 si dhe do të përmbyllet me koncertin “Shpat Deda Trio” në Qendrën kulturore hebreje ‘Oneg Shabat’ që nis në orën 21:00.

Qëllimi i festivalit “Mirëdita, dobar dan!” është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuojë në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë./ KultPlus.com

Qendra e Dekontaminimit Kulturor (Beograd)

Të fundit

Të ngjajshme