Megan Fox e quan industrinë e filmit maskiliste

24 Qershor, 2020 - 6:30 pm

Aktorja 34-vjeçare, Megan Fox, i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për t’iu përgjigjur fansave të cilët kanë spekuluar se ajo është keqtrajtuar nga Hollywoodi, si dhe është seksualizuar në fillimet e karrierës së saj.

Këto reagime të publikut në rrjetet sociale erdhën pas rishfaqjes të një interviste të aktores me prezantuesin, Jimmy Kimmel, e realizuar në vitin 2009, dhe ku Fox e tregoi një histori se si ishte seksualizuar në filmin e regjisorit të famshëm Michale Bay, “Bad Boys II”, kur ajo ishte vetëm 15-vjeçare.

“Ata po e xhironin një skenë në një klub të natës ku më përfshinë edhe mua. Unë kisha veshur bikine me taka të larta dhe në kokë e mbaja një kapelë të kaubojve. Regjisori e aprovoi këtë pamje timen, dhe më pas disa pjesëtarë të ekipit të filmit i thanë atij se unë isha vetëm 15-vjeçare, dhe nuk mund të ulesha afër shankut apo të kisha pije alkoolike në dorë. Prandaj, zgjedhja e Michaelit ishte të më vendoste në skenë për të vallëzuar përfundi një fontane me ujë,” kishte deklaruar aktorja në intervistën e saj për emisionin “Jimmy Kimmel Live”.

Ndërkaq, në deklaratat e saj të fundit, Fox i doli në mbrojtje regjisorit Bay duke thënë se asnjëherë nuk ishte ndier e ngacmuar seksualisht, në sheshin e xhirimeve të filmave të tij, por industrinë e Hollywoodit në përgjithësi e përshkroi si tejet maskiliste, transmeton Koha.

Megjithatë, aktorja nuk hezitoi t’i falënderoi të gjithë personat që po flasin hapur për eksperiencat e tyre, të ngacmimit ose sulmeve seksuale në vendin e punës. Fox po ashtu insiston se ka shumë emra të industrisë së filmit, të cilët e meritojnë të bëhen publik dhe të hyjnë në grupin e personave puna e së cilëve duhet anuluar.

Të ngjajshme